Në Itali, Ministria e Shëndetësisë paralajmëroi banorët e 12 qyteteve, nga Trieste deri në Romë, të mos dalin nga shtëpitë këtë javë, përveç rasteve urgjente, pasi një valë e nxehtë ajri i ka çuar temperaturat mbi 40 gradë Celsius. Në Palermo dhe Siçili është gjithashtu alarmi i kuq prej temperaturave të larta dhe autoritetet këshillojnë sa më shumë kujdes dhe konsum lëngjesh.
Po ashtu, edhe në Greqi, autoritetet kanë paralajmëruar një valë të nxehti që do të zgjasë deri në fund të javës, me temperature që në disa zona që parashikohen të arrijnë 42 gradë Celsius dhe kanë marrë masa për emergjencat civile në shërbim të banorëve.
Po ashtu, shtete të ndryshme të Evropës jugore kanë marrë masa për t’u kujdesur për të moshuarit në veçanti, teksa temperaturat shënojnë mbi 40 gradë celsius.
Shërbimi Kombëtar i Motit në Spanjë tha se termometrat mund të arrijnë 44 celsius në ditët në vijim në zona të ndryshme të vendit. Mjekët kanë bërë thirrje që të shmangen daljet në orët e pikut, ndërsa komunat kanë vënë në dispozicion të qytetarëve ambiente të përshtatshme me ajër të kondicionuar.
Bashkia e Stambollit paralajmëroi banorët këtë të martë, veçanërisht të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe ata me probleme shëndetësore që të shmangin daljen nga ora 10:00 deri në orën 16:00, edhe pse temperaturat nuk pritet ta kalojnë 37 gradë celsius.
Ndërkohë, në veri të kontinentit evropian, temperaturat janë nën mesataren vjetore dhe banorët janë ende në pritje të fillimit të një vere tipike, ndryshe nga sa ndodh më në jug. Studiuesit evropianë të klimës thonë se nga raporti i fundit i monitorimit muaji qershor që kaloi ishte më i ngrohti se çdo qershor i mëparshëm në të dhënat historike.