Bizneset e hotelerisë në Theth po protestojnë bashkë me turistet pas fillimit të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje. U nis si aksion për prishjen e ndërtimeve në hapësirat publike, por në Theth po zhvillohet edhe në hapësirat private. Madje Kryeministri po merret personalisht, jo vetëm me ndërtimet, por edhe me prokuroren që nuk iu bind.
Ndërkohë që kjo betejë po zhvillohet në mënyrë dramatike, një takim i Ramës 1 vit më parë në Theth shpjegon se kush i inkurajoi banorët të ndërtonin pa leje në pronat e tyre. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që ka inkurajuar ndërtimet pa leje në Theth, teksa po shpërndante disa tituj pronësie.
Rama ka deklaruar se qeveria do të falte të gjitha gjobat për ndërtimet që janë bërë pa leje, duke theksuar se janë ndërtime nga nevoja. Po gjatë kësaj deklarate, Rama ka theksuar se pamundësia për të marrë leje për ndërtimet lidhet me disa problematika, që sipas tij do të adresoheshin për të gjetur një zgjidhje.
“Ajo që ka rëndësi është që sot janë 200 tituj pronësie që janë këtu dhe një pjesë të vogël do ta shpërndajmë tani, pjesën tjetër gjatë ditës. Ndërkohë janë dhe 90 tituj të tjerë, për 40 Bashkia e Shkodrës do të duhet të bëjë një studim, çështjen e zonës, ndërsa për 50 titujt të tjerë është problematika në pronën e tyre. Natyrisht që këtu do të gjejmë një zgjidhje, për të gjithë ata që janë në kushtet tuaja, por pamundësia për të marrë një leje lidhet me problematikat. E dyta, çështja e gjobave që është rezultat i ndërhyrjeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër. Qeveria do t’i fali të gjitha këto gjoba, sepse e kemi diskutuar atë ditë dhe nuk janë ndërtime të bëra masivisht për t’iu shmangur ligjit, por janë ndërtime nga nevoja. Kjo nuk do të thotë që këto ndërtimet pa leje do të vijojnë,” tha Rama.
Marrë nga Dosja.al