Në një kohë kur shpejtësia, transparenca dhe thjeshtësia janë kërkesat kryesore të përdoruesve, Union Financiar Tiranë ka vendosur digjitalizimin në qendër të strategjisë së tij. Nëpërmjet platformës UPay dhe produkteve të reja si karta UPay Mastercard apo integrimi me Western Union, kompania po transformon mënyrën se si individët dhe bizneset kryejnë pagesa duke u përafruar me standardet ndërkombëtare.Në një intervistë për “Monitor”, Elton Çollaku, administrator i UFT, shpjegon se si kjo qasje po e kthen Union Financiar në një aktor të rëndësishëm të ekosistemit financiar duke kombinuar traditën 30-vjeçare me inovacionin teknologjik.
Si do ta vlerësoni ecurinë e Union Financiar dhe Grupit UNION Financiar në vitin 2024 dhe pjesën e deritanishme të vitit 2025? Cilat janë pritshmëritë e Grupit për periudhën në vijim?
Viti 2024 ka qenë një vit pozitiv për Grupin UNION. Pavarësisht sfidave që solli ekonomia dhe tregu, ne kemi vijuar të konsolidojmë pozitat tona në tregun e shërbimeve të Transfertave të Shpejta të Parave, Shërbimeve të Pagesave dhe të Parasë Elektronike duke rritur më tej besueshmërinë dhe bazën e klientëve. Klientët na besojnë gjithmonë e më shumë dhe ky është treguesi më i rëndësishëm për ne dhe tejet domethënës pas 30 vitesh shërbim të dedikuar, korrekt dhe inovativ në tregun e shërbimeve financiare.
Në pjesën e parë të vitit 2025 shohim një vijim të këtij trendi dhe parashikohet të mbetet i tillë për të gjithë vitin. Pritshmëria jonë është të vijojmë këtë ritëm, por edhe të hapim rrugë të reja për inovacion duke sjellë më shumë lehtësi dhe zgjidhje të thjeshta për klientët nëpërmjet platformës sonë UPay dhe produkteve të tjera digjitale.
Ju identifikoheni si një nga lojtarët kryesorë në fushën e pagesave që po transformohet dhe digjitalizohet me vrull. Cilat janë planet tuaja në këtë fushë?
Union Financiar Tiranë ka një histori 30-vjeçare me zhvillime dhe inovacion të vazhdueshëm, në ndjekje të zhvillimeve teknologjike ndërkombëtare dhe kërkesave të klientëve duke e vendosur digjitalizimin në qendër të strategjisë së tij. Në një epokë ku përdoruesi kërkon shpejtësi, thjeshtësi dhe transparencë, ne kemi zhvilluar platformën UPay, platformë tërësisht digjitale, që i ofron përdoruesit një përvojë financiare më “smart”, më të shpejtë dhe më të personalizuar.
UPay është një ekosistem i integruar pagesash që përfshin: portofol digjital për përdoruesit fundorë dhe klientët biznes, zgjidhje për pagesa me kartë, QR Kod, NFC, API për pagesa të integruara për e-commerce, pagesa të faturave dhe transferta parash të menjëhershme, e të tjera zhvillime që i shtohen vazhdimisht platformës me shpejtësi. Në këtë kontekst mund të sjell disa nga zhvillimet më të fundit nga ana e Union Financiar Tiranë nëpërmjet platformës së saj digjitale UPay:
Transfertat Ndërkombëtare të Parave Western Union përmes UPay janë të disponueshme tashmë në UPay. UPay është bërë portofoli i parë elektronik në Europë që ofron shërbimet e Western Union, si Dërgesa në mbi 200 shtete dhe territore, ashtu edhe Tërheqje direkt në llogarinë e tyre UPay. Çdo përdorues i UPay mund të dërgojë apo të marrë para në çdo cep të botës ku operon Western Union.
Ky integrim jo vetëm forcon pozicionin e UFT në tregun lokal, por e pozicionon atë si një aktor me ndikim rajonal dhe ndërkombëtar në shërbimet e pagesave. Karta UPay Mastercard, një tjetër zhvillim i ri, ka hapur për UFT një derë drejt tregut të kartave dhe pagesave të avancuara. Karta UPay është një kartë debiti që lidhet direkt me aplikacionin UPay të kartëmbajtësit dhe i jep mundësinë të përdorë fondet e disponueshme në llogarinë UPay.
Më shumë sesa një produkt – është një pikë kontakti e re me klientin, një mënyrë për të rritur numrin e klientëve aktivë, të angazhuar, që përdorin platformën në mënyrë të vazhdueshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë, online dhe në dyqane fizike, madje edhe me Google Pay e së shpejti edhe me Apple Pay. UPay për bizneset është një tjetër dimension i platformës në shërbim të biznesit. Ndërsa individët përfitojnë komoditetin, bizneset përfitojnë fuqinë e automatizimit.
Me API të dedikuara për integrim me platformat e-commerce, raportim në kohë reale dhe zgjidhje të sigurisë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, UPay ka nisur të zgjerojë portofolin e vet edhe në drejtim të klientëve biznes, duke i ndihmuar të transformojnë mënyrën si menaxhojnë pagesat dhe financat. Ky është një hap i rëndësishëm strategjik që e vendos UPay si një partner teknologjik edhe për zhvillimin e bizneseve.
Union Financiar Tiranë e konsideron implementimin e modelit të Open Banking një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit financiar dhe rritjes së transparencës, inovacionit dhe përfshirjes financiare në Shqipëri. Ne kemi një qasje proaktive dhe vizionare ndaj Open Banking duke e parë atë si një mundësi për të krijuar vlera të reja për përdoruesit dhe për tregun në tërësi.
Kemi ndërtuar ura bashkëpunimi me të gjitha bankat e nivelit të dytë për t’i përfshirë në platformën tonë UPay, për të sjellë përfitime konkrete për klientët – qasje më të thjeshtë në llogari, pagesa të drejtpërdrejta me një klikim dhe një përvojë pa barriera, e gjitha kjo me zero kosto për përdoruesin. Në përfundim të këtij procesi, ku ndërkohë aktualisht kemi përfunduar implementimin me pothuaj të gjitha bankat e nivelit të dytë, do të jemi në gjendje të ofrojmë një përvojë të plotë multi-bank për përdoruesit e UPay duke përfshirë kontrollin e llogarive dhe inicimin e pagesave.
Kjo do të përmirësojë ndjeshëm përvojën e përdoruesit dhe do të rrisë transparencën në menaxhimin e financave personale. Ne jemi të përkushtuar të jemi në pararojë të zhvillimeve digjitale, të zgjerojmë partneritetet me institucione të reja duke zgjeruar më tej gamën e shërbimeve dhe kufijtë e përdorimit, duke kontribuar aktivisht në ndërtimin e një ekosistemi financiar më të hapur, më të integruar dhe më të orientuar nga nevojat e klientit. UFT – Përfshirja financiare
Së bashku me aktorë të tjerë të tregut, UFT planifikon të përfshihet në fushata të përbashkëta për edukim financiar në komunitet, në bashkëpunim me institucione publike, media dhe forume të institucioneve financiare. Ne synojmë që aksesi në teknologji të kthehet në përfshirje financiare reale në ekonomi, më shumë shërbime e më shumë alternativa për të gjithë qytetarët.
Cila është strategjia e UFT për targetimin e shtresave të popullsisë që nuk i përdorin ose i përdorin pak shërbimet bankare me qëllim që të ndikojë në përfshirjen financiare të tyre?
Në një Shqipëri ku ende një përqindje e lartë e popullsisë mbështetet kryesisht te paraja fizike, përfshirja financiare mbetet një sfidë që kërkon jo vetëm teknologji, por mbi të gjitha, besim dhe ndërveprim njerëzor. Union Financiar Tiranë, si lider i shërbimeve financiare alternative në tregun shqiptar, po ndërmerr hapa konkretë për të krijuar lidhjen mes teknologjisë dhe komuniteteve që tradicionalisht kanë qëndruar jashtë sistemit bankar.
UFT nuk kërkon të bindë njerëzit që të braktisin cash-in, por ofron një alternativë të besueshme, të sigurt dhe të thjeshtë në përdorim. Zgjedhja i takon gjithmonë individit. E rëndësishme është që qytetarët të kenë alternativë, të informohen dhe të kenë mundësinë të zgjedhin mjetet më të përshtatshme, qoftë kjo portofoli digjital, një transfertë parash, apo pagesë në sportel.
Me një rrjet prej mbi 750 pikash shërbimi Unionnet – Western Union në të gjithë vendin, UFT është pozicionuar natyrshëm si urë lidhëse mes cash-it dhe parasë elektronike / kanaleve digjitale. Në qendër të qasjes sonë qëndron platforma UPay, e ndërtuar për t’u përdorur thjesht dhe pa barriera jo vetëm nga individët, por edhe nga bizneset.
Ne nuk presim ndryshimin e menjëhershëm të sjelljes së qytetarëve, por kemi zgjedhur një trajtim më të qëndrueshëm e afatgjatë: edukimin përmes ndërveprimit të përditshëm. Çdo transaksion bëhet një mundësi për t’i treguar klientit se ekziston një mënyrë më e thjeshtë për të paguar faturat, për të transferuar para apo për të blerë online.
Së bashku me aktorë të tjerë të tregut, UFT planifikon të përfshihet në fushata të përbashkëta për edukim financiar në komunitet, në bashkëpunim me institucione publike, media dhe forume të institucioneve financiare. Ne synojmë që aksesi në teknologji të kthehet në përfshirje financiare reale në ekonomi, më shumë shërbime e më shumë alternativa për të gjithë qytetarët.
Union Financiar Tiranë ka qenë një nga kompanitë e para me prani rajonale në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut që prej fillimit të viteve 2000. Cilat janë planet tuaja të zgjerimit në të ardhmen, brenda dhe jashtë vendit?
Që në fillimet e aktivitetit, tashmë pothuaj 30-vjeçar, UFT e ka parë rajonin si pjesë natyrale të aktivitetit të tij. Si rrjedhim, gjatë viteve UFT, përveç Shqipërisë, zgjeroi praninë e saj edhe në vende të tjera dhe aktualisht ushtron aktivitetin e shërbimeve financiare edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Planet tona janë të vijojmë të forcojmë ato që kemi ndërtuar deri tani duke zgjeruar dhe duke replikuar në këto shtete strategjinë e zhvillimit digjital. Në 10-vjeçarin e dytë të aktivitetit tonë, tashmë me një biznes të konsoliduar në fushën e shërbimeve financiare, u krijua mundësia për të marrë pjesë edhe në nisma të tjera biznesi.
Kështu, në vitin 2006, UFT themeloi Union Bank, si bankë me kapital 100% shqiptar dhe vetëm 6 vjet më vonë krijoi PayLink, një kompani të teknologjisë dhe procesimit të pagesave ndërbankare, po nga investimi 100% i UFT. Kontributi për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja dhe të futjes së shërbimeve inovative për tregun është pjesë e ADN-së sonë dhe do të vijojë edhe më tej në Shqipëri e më gjerë.
Grupi juaj është rritur ndjeshëm në shërbime teknologjike dhe produkte digjitale. Si e menaxhoni këtë rritje në drejtim të menaxhimit të risqeve të ndryshme dhe burimeve njerëzore?
Ekuilibri mes inovacionit, rregullimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore është ndër sfidat më të mëdha, mendoj, jo vetëm për UFT, por për të gjithë industrinë tonë. Ndërsa zhvillimet e reja digjitale ofrojnë mundësi të mëdha, ato gjithashtu sjellin edhe përgjegjësinë dhe detyrimin tonë si ofrues i këtyre shërbimeve për të përmbushur maksimalisht të gjitha kërkesat e sigurisë, privatësisë dhe etikës.
Ndërsa informacioni qarkullon shpejt dhe siguria kibernetike është një shqetësim konstant, krijimi dhe ruajtja e besimit të klientëve është një sfidë kritike. Ne në UFT, që prej fillimit të aktivitetit, jemi fokusuar në përmbushjen e nevojave të klientëve tanë dhe e dimë se klienti nuk kërkon vetëm shërbime të shpejta dhe të thjeshta në akses. Ata duan siguri, transparencë dhe ndjesinë që paratë dhe të dhënat e tyre janë në duar të sigurta. Në këtë kontekst, UFT është në progres të vazhdueshëm për t’u përshtatur me zhvillimet më të fundit të teknologjisë dhe standardet më të larta të sigurisë.
Ne kemi ngritur sisteme shumë të forta sigurie dhe monitorimi, sepse nëse ofron shërbime digjitale, siguria është parësore. Nga ana tjetër, rritja në fushën digjitale kërkon një menaxhim të kujdesshëm të riskut dhe një investim të vazhdueshëm në burimet njerëzore. Ne kemi krijuar struktura të posaçme për menaxhimin e riskut operacional, kibernetik dhe financiar duke përdorur mjete të avancuara monitorimi dhe auditimi. Në të njëjtën kohë, kemi investuar dhe do të vijojmë të investojmë në trajnime dhe zhvillim të stafit duke ndërtuar ekipe multidisiplinore që kombinojnë ekspertizën financiare me atë teknologjike. Kjo na lejon të sigurojmë cilësi, siguri dhe inovacion të vazhdueshëm në produktet që ofrojmë.
Marrë nga Monitor