Kevi Muçllari, banor i Çërravës, i cili u përplas fizikisht me Engjëll Shyti këshilltarin e PD-së në Këshillin Bashkiak të Pogradecit, është arrestuar nga policia. Uniformat blu bëjnë me dije se 27-vjeçari akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”. Në njoftim, bëhet me dije se Muçllari fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe më pas ka goditur me grusht Shytin.
Njoftimi:
Pogradec/ Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin Kevi Muçllari, 27 vjeç, banues në Pogradec.
Më datë 10.11.2025, rreth orës 14:25, në ambientet e Bashkisë Pogradec, gjatë zhvillimit të një mbledhjeje nga Këshilli Bashkiak me prezencën e qytetarëve, ky shtetas fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit E. Sh., 47 vjeç, anëtar i Këshillit Bashkiak, duke e goditur me grusht.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Reagimi:
QQ: Policia dhe Prokuroria të mos përdoren si instrumenta politike
QQ: KLP, ILD dhe Avokati i Popullit të monitorojnë rastin
Pasi u informuam nga familjarët e banorit të fshatit Çoravë, Kevi Muçllari, se pas një konflikti të krijuar në Këshillin Bashkiak Pogradec policia e ka arrestuar dhe akuzuar për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”, nisur nga pamjet filmike të transmetuara në media, dënojmë me forcë këtë instrumentalizim politik të organeve të hetimit dhe ndjekjes penale për interesat e këshilltarëve apo partive politike.
Zhvillimi i sotëm në Këshillin Bashkiak Pogradec kishte të bënte me transferimin e pronave që fëmërët e asaj zone i përdornin për kullota prej vitesh, tek disa përfitues privatë të biznesit të fotovoltaikëve, duke u prerë mundësinë vetë banorëve për të ushqyer kafshët në kullotat e zonës.
Pas votimit pro nga 20 këshilltarë, mes banorëve të pranishëm dhe këshilltarëve u krijua një tension, i cili jo vetëm që nuk pati goditje “për shkak të detyrës”, por pati provokim fizik nga vetë këshilltarët në drejtim të banorëve.
Në këtë situatë shteti nuk duhet të godasë më të dobëtin, por më të padrejtin. Gjykata duhet të shfuqizojë vendimin arbitrar të Këshillit Bashkiak, jo të arrestojë djem e vajza që kërkojnë drejtësi për tokat e tyre.
Qëndresa Qytetare e dënon me forcë këtë veprim dhe i bën thirrje Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ILD dhe Avokatit të Popullit të monitorojnë këtë rast të paprecedentë.
Ngjarja e paprecedentë u regjistrua mesditën e djeshme në Këshillin Bashkiak të Pogradecit gjatë miratimit të pikës 6 për “miratimin e listës së sipërfaqes së tokës prej 34.660 ha në Çërravë që mund të jepen më qira”. Njëri prej këshilltarëve, Ëngjëll Shyti, është ngritur nga tavolina dhe është konfrontuar fizikisht me Kevi Muçllarin, një prej banorëve të Çërravës. Ndërkohë, ky i fundit tha për mediat se këshilltari e kishte ofenduar dhe kërcënuar, ndërsa deklaroi se këtë çështje nuk do ta lënë me kaq dhe do ta ndjekin në të gjitha hapat ligjore.
Marrë nga Zëri.al