Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas denoncimeve se në rrjetin e supermarketeve “Diambe” janë shitur çokollata me insekte brenda. Bëhet fjalë për çokollatën “Talarki Money Euro” 100 g, që në pamje ngjan me monedha euro, por brenda tyre rriten insekte.
AKU ka kryer inspektime në magazinën e supermarketit “Diambe” në Katund të Ri, Durrës, ku përveç bllokimit të produktit, janë marrë katër mostra të çokollatës për analiza laboratorike pranë ISUV, për të parë mbi ngarkesën mikrobilogjike të saj.
Rasti u regjistrua si procedim penal kryesisht më 11 nëntor, pas publikimeve në media dhe njoftimeve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Hetimet po kryhen për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, parashikuar nga neni 288 i Kodit Penal.
Aktualisht, prokuroria po mbledh provat e para dhe pritet të marrë në pyetje administratorët e kompanisë “Diambe” dhe përgjegjësit e furnizimit.
Sipas AKU-së, çokollatat janë importuar nga Polonia, ndërsa kushtet e papërshtatshme të ruajtjes dyshohet të kenë favorizuar zhvillimin e insekteve.
Marrë nga Newsbomb.al