Nga krahasimi i projektligjeve të konsultuara nga Skyweb.al me legjislacionin tatimor lituanez rezulton se disa prej normave kryesore që qeveria shqiptare kërkon të vendosë vitin e ardhshëm janë identike me ato që zbatohen aktualisht në Lituani.
Përputhja nis nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Shqipëria propozon rritjen e normës standarde nga 20% në 21%, pikërisht në nivelin që zbatohet në Lituani.
E njëjta gjë ndodh me tatimin mbi fitimin e kompanive. Qeveria shqiptare propozon rritjen e tij nga 15% në 17%, ndërsa Lituania e ka vendosur normën 17% duke filluar nga janari i këtij viti.
Një tjetër përputhje lidhet me dividendin, pra fitimin që kompanitë u shpërndajnë ortakëve. Shqipëria propozon rritjen e tatimit nga 8% në 15%, ndërsa në Lituani dividendi i përfituar nga individët tatohet aktualisht me 15%.
Ngjashmëria shtrihet edhe te pagat. Paketa shqiptare parashikon vendosjen e një norme maksimale prej 32% për pjesën e pagës bruto mbi 700 mijë lekë në muaj.
Edhe Lituania aplikon normën maksimale prej 32%, por me një sistem tjetër progresiv, ku fashat janë 20%, 25% dhe 32%, ndërsa norma më e lartë nis mbi një kufi vjetor të ardhurash dukshëm më të lartë.
Pra, katër tregues të rëndësishëm fiskalë, TVSH-ja standarde, tatimfitimi, dividendi për individët dhe norma maksimale e tatimit mbi pagat, përputhen mes propozimeve shqiptare dhe sistemit aktual lituanez.
Por a është kjo një rastësi apo grupi i punës i Ministrisë së Financave ka marrë si referencë reformën fiskale të Lituanisë?
Skyweb.al nuk mund të konfirmojë nëse paketa shqiptare është kopjuar nga modeli lituanez, por, siç raportuam mbrëmjen e kaluar, koha tepër e shkurtër që iu la në dispozicion grupit të punës për përgatitjen e ndryshimeve, vetëm tetë orë gjatë ditës së hënë, ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është hartuar një reformë kaq e gjerë fiskale.
Kjo rrethanë, e kombinuar me përputhjen e katër normave kryesore tatimore, ngre dyshime se hartuesit mund të jenë mbështetur te paketa fiskale e miratuar më herët në Lituani. Megjithatë, ngjashmëritë dhe afati i raportuar i punës nuk përbëjnë prova se dokumentet janë kopjuar.
Madje, ekzistojnë edhe dallime të rëndësishme. Shqipëria propozon uljen e TVSH-së për ushqimet bazë në 6%, ndërsa Lituania aplikon përgjithësisht normën standarde 21% për këto produkte.
Ndërkohë, për akomodimin turistik, Shqipëria propozon normën 10%, kundrejt 12% që zbatohet në Lituani.
Edhe objektivat e deklaruara të reformave ndryshojnë. Lituania i ka lidhur ndryshimet fiskale edhe me nevojën për financimin e mbrojtjes kombëtare, ndërsa qeveria shqiptare argumenton se synon rishpërndarjen e barrës tatimore, lehtësimin e konsumit bazë dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.
Megjithatë, përputhja e katër normave kryesore, së bashku me afatin e shkurtër të raportuar për përgatitjen e paketës, ngre një pyetje që kërkon sqarim nga Ministria e Financave: A është studiuar dhe përdorur modeli lituanez gjatë hartimit të paketës fiskale 2027, apo normat e njëjta janë rezultat i vlerësimeve të pavarura të grupit të punës?
Marrë nga Skyweb.al