Protestuesit e Minierës së Spaçit në Mirditë u paraqitën sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua situata e punonjësve dhe shkeljet e mundshme nga kompania private që operon në këtë minierë.
Gazment Bardhi, deputet i PD dhe anëtar i Komisionit, theksoi se problemi kryesor lidhet me shfrytëzimin e pasurisë së shtetit nga një kompani private, duke theksuar se kjo kompani duhet të respektojë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
“Kushtetuta garanton punonjësve të drejtën për t’u organizuar në sindikata. Të pushosh qytetarët nga puna për shkak të organizimit sindikal përbën shkelje të hapur të kontratës dhe të ligjit,” tha Bardhi. Ai shtoi se kompania nxjerr fitime të majme falë djersës së punonjësve, dhe se nuk mund të ketë as kompani shqiptare, as turke apo amerikane që të cenojë të drejtat e tyre.