Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës për Euronews në kuadër të “Enlargement Summit” në Bruksel, ka diskutuar mbi procesin e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, sfidat e zgjerimit dhe marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
Sa i përket procesit të zgjerimit të BE-së, Rama kërkoi që vendet kandidate të përfshihen në tryezën europiane dhe të kenë mundësi të marrin pjesë në diskutimet dhe vendimmarrjen e përbashkët, përpara anëtarësimit të tyre zyrtar.
Sipas Ramës, anëtarësimi duhet të përcaktohet mbi bazën e meritës dhe përmbushjes së kritereve nga secili vend.
Gjatë intervistës, Rama u ndal te marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, duke deklaruar se ajo do të vijojë të jetë në fuqi për aq kohë sa Giorgia Meloni të jetë në krye të qeverisë italiane.
Ai e cilësoi emigracionin si një sfidë të përbashkët për Bashkimin Europian dhe jo thjesht si një problem mes dy vendeve.
I pyetur për këtë marrëveshje, kryeministri iu përgjigj me ironi gazetares, duke deklaruar se nuk do të jepte një “scoop” për motrën e tij në Itali.
Rama bëri edhe një koment për Britaninë e Madhe, duke u shprehur se britanikët duhet të rikthehen në Bashkimin Europian.
Me ironi, ai theksoi se këtë herë duhet të presin, pasi shqiptarët janë përpara tyre në procesin e integrimit. Sipas tij, Britania duhet të luftojë krimin e organizuar dhe të shohë mundësinë e rikthimit në familjen europiane.
Gjatë intervistës, Rama pati edhe një përplasje me gazetaren Maria Tadeo, e cila i përmendi dhunën policore gjatë protestave të të rinjve.
Në momentin që gazetarja ngriti çështjen e përdorimit të forcës nga policia, Rama tha se policët janë më të dhunuarit. Por, gazetarja i kujtoi kryeministrit se ekziston një dallim mes dhunës së ushtruar nga efektivët dhe asaj të protestuesve, pasi policia është e pajisur me armë, ndërsa protestuesit jo.
Kjo ndërhyrje solli reagimin e Ramës, i cili iu drejtua gazetares me pyetjen: “Po më provokon që të kemi diskutim apo e ke seriozisht?”. Gjatë debatit, ai u shpreh se në momentin që do të mendojë se vetë dhe qeveria e tij nuk kanë më nevojë të ndryshojnë, do të largohet nga detyra.
Marrë nga Dosja.al