Auditimi i KLSH-së mbi zbatimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e hemodializës ka zbuluar probleme serioze që prekin drejtpërdrejt pacientët me sëmundje akute dhe kronike të veshkave.
Institucionet përgjegjëse argumentojnë se shërbimi i hemodializës, si akut ashtu edhe kronik, u është ofruar të gjithë pacientëve në strukturat adekuate, duke theksuar se programi i dializës peritoneale funksionon që nga viti 2005 dhe se pacientët me insuficiencë renale kronike marrin materialet e nevojshme falas për trajtimin në banesë. Por auditimi konstaton se Ministria e Shëndetësisë dhe FSDKSH nuk kanë hartuar rregulloren e posaçme që do të përshpejtonte procedurën e ofrimit të shërbimit të menjëhershëm për pacientët me sëmundje akute të veshkave. Rekomandimi i KLSH vlerësohet si i pranuar, por i pazbatuar, duke reflektuar mungesë angazhimi për rregullimin e një procesi që prek urgjencën dhe shpesh jetën e pacientëve.
Auditimi ka identifikuar edhe një praktikë tjetër shqetësuese: raste të pagimit të dyfishtë për të njëjtën seancë dialize. Një situatë e tillë u evidentua në qendrën e koncesionit të Lezhës, ku një pacient kronik u faturua dy herë për një seancë – njëherë nga koncesionari, bazuar në projeksionet mujore dhe njëherë nga një spital jopublik që realisht e kishte kryer shërbimin. Ky problem shfaqet te pacientët që kanë ndryshuar vendbanim ose kanë zgjedhur të kryejnë trajtimin në qendra të tjera të hemodializës që nuk mbulohen nga koncesionari. Në këto raste, pagesa për një seancë dialize përfundon duke u bërë dy herë: një në projektim dhe një sipas shërbimit faktik.
Ministria dhe FSDKSH deklarojnë se disponojnë regjistrin kombëtar të pacientëve që marrin hemodializë dhe se qendrat dërgojnë çdo muaj listat me pacientët, sipas detyrimeve kontraktore. Megjithatë, auditimi nënvizon se mekanizmi aktual nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar mbivendosjet, pasi pagesat nga koncesionari bazohen tek projeksionet, ndërsa pagesat tek spitalet jopublike bazohen në seancat reale të kryera. Kjo mospërputhje krijon kosto të panevojshme për buxhetin publik.