Dy ditë më parë në Portin e Durrësit u sekuestruan disa pajisje përgjuese të gjetura në një automjet ku udhëtonin 3 persona, 3 prej të cilëve zyrtarë të Guardia di Finanza. Personi i 3-të mendohet ë jetë kontraktuar prej tyre për përdorimin e pajisjeve të përgjimit.
Këta persona kanë qëndruar në territorin shqiptar për 12 orë teksa ka dyshime të forta se pajisjet janë përdorur nga ana e tyre për të përgjuar një person të caktuar.
Teksa këta persona kanë tentuar të largohen me tragetin e linjës Durrës-Ankona, policia kufitare ka zbuluar pajisjet, ndërsa 2 zyrtarët e Guardia di Fianza dhe personi i 3-të janë marrë në pyetje nga autoritetet shqiptare.
Mbetet e paqartë dëshmia e tyre në polici, ndërsa pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë drejt Italisë ndërsa pajisjet janë mbajtur në Shqipëri ku dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës.
Burimet kanë bërë me dije se autoritetet shqiptare kanë komunikuar me palën italiane lidhur me këtë çështje, ndërsa dyshohet se pajisjet të jenë përdorur në territorin shqiptar pa autorizimin e nevojshëm në kuadër të një hetimi të përbashkët. Se për çfarë hetimi bëhet fjalë ende nuk dihet, ndërsa deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet.
Marrë nga Newsbomb.al