Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrjen për shqyrtim të kërkesës së depozituar nga Këshilli i Ministrave dhe rrjedhimisht rikithimin në detyrë si zëvendësministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në shqyrtimin e vendimit të dhënë nga GJKKO.
Kushtetusja në vendim njoftoi se me shumicë votash vendosi pezullimi e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118 dhe nr. 120 të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pezullimit nga detyra ndaj Belinda Ballukut. Po me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike, për shkak të interesit të lartë publik.
Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër, ku në shumicë votuan Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Genti Ibrahimi, Sandër Beci dhe Marjana Semini, ndërsa kundër ishin Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi.
Në argumentin e dhënë nga shumica e gjyqtarëve, theksohet se pezullimi nga detyra e Belinda Balukut mbart pasoja të rëndë që prekin drejtpërdrejt interesat shtetërorë.
“Mbledhja e Gjykatësve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit organik të Gjykatës. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjykatësve, zbatimi i vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, si dhe vazhdimi i masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore”.
Shqyrtimi i çështjes në themel që do të zhvillohet më 22 janar 2026. Sipas gjykatës do të thirren SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.
Marrë nga Newsbomb.al