Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore zhvilloi sot një tryezë konsultimi të fokusuar në financimin e partive politike, një prej çështjeve kyçe të reformës në proces. Në takim morën pjesë ambasadorë në vendin tonë, kreu i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, si dhe dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Bashkëkryetari Damian Gjiknuri e cilësoi ligjin për financimin e partive politike si prioritet të rëndësishëm, duke theksuar nevojën për ndërtimin e një kuadri ligjor me standarde bashkëkohore, që garanton transparencë dhe balancë mes forcave politike.
Sipas tij, ligji duhet të shmangë krijimin e barrave të rënda për partitë e vogla, ndërsa njëkohësisht të forcojë mekanizmat e kontrollit, auditimit të pavarur dhe parandalimit të financimeve të paligjshme, përfshirë ato nga krimi, interesa të lidhura me pushtetin apo ndikime të huaja.
“Ndërtimi i një ligji me parametrat që kërkon koha është objektiv i rëndësishëm i joni. Çështje e rëndësishme por kemi masa pak më të mëdha politike se përmirëson një gjë që i shërben të gjitha partive politike. Ligji nuk do të udhëhiqet nga parimi që njëra forcë të dominojë tjetrën, do të jetë proporcional, me standartet më të mira por edhe duke marrë parasysh edhe jetën shoqërore dhe traditën e shoqërisë.
Duke mos u kthyer një barrë e rëndë për partitë e vogla politike që mbase mund ta kenë më të vështirë nga kërkesat që mund të bëhen nga ky ligj. Duhet të gjejmë një balanca që tregon transparencë, kontroll, autditim të pavarur dhe të parandalojmë fenomene që janë ndikime të paligjshme si financimet nga burime të papranueshme, qoftë nga bota kriminael e interesa biznesi të lidhura me pushteti apo fuqi të huaja.”, tha ai.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari Oerd Bylykbashi vuri theksin tek roli themelor i partive në funksionimin e demokracisë dhe ruajtjen e pluralizmit politik. Ai theksoi se sistemi i financimit duhet të garantojë transparencë, por edhe burime të mjaftueshme e të shëndosha financiare, në mënyrë që partitë të funksionojnë normalisht në sistemin parlamentar
“Partitë politike janë organizma që kanë rol themelor në formimin e pluralizmit. Është e rëndësishme që gjatë këtyre viteve është vënë theksi tek transparenca. Duke shmangur korrupsionin apo influencat kriminale apo faktorëve të tretë. Duhet të krijojmë një barrierë për të mbajtur të shëndetshëm pluralizmin politik.
Transparenca nuk funksionin pa pasur ujë në burim. Ne duhet të kujdesemi që financimi të jetë i mjaftueshëm dhe i shëndoshë që partitë të funksionojnë në sistemin parlamentar. Duhet të bëjmë një balanca mes transparencës dhe pluralizmit.
Tema sot është si të ndërtojmë një sistem financimi dhe transparencë të financimit që prodhon pluralizëm dhe jo një regjim financiar që do të ekspozonte partitë politike, kryesisht atyre të opozitës, karshi instrumenteve kontrollues të një shteti të kapur, apo një shteti që ka hyrë dhe ka pushtuar zgjedhjet”, deklaroi demokrati.
Marrë nga Newsbomb.al