Gjykata e Posaçme ka dënuar me 6 vite burg Klodian Rrjepajn, ish-zëvendësministër i ministrisë së Shëndetësisë, për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikim në dosjen “Sterilizmi”. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar ish-zëvendësministri do të vuajë vetëm 4 vite burg.
Edhe biznesmeni, Ilir Rrapaj është dënuar me 6 vite burg, dhe do të kryejë dënimin për vetëm 4 vite.
Rrjepaj dhe Rrapaj janë shpallur të pafajshëm për veprën penale grup i strukturuar kriminal.
Marsela Serjani dhe Sajmir Kadiu u dënuan me nga 3 vite e 6 muaj burg, të reduktuara në 2 vite e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për të dy u hoq masa e sigurimit. Ndërsa për Serjanin, gjykata konstatoi se dënimi është shlyer.
Petret Mersini dhe Arben Gjata u dënuan me nga 3 vite e 6 muaj burg, të reduktuara në 2 vite e 4 muaj, por me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në shërbim prove për 24 muaj.
Genc Byrazeri u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, që pas uljes me 1/3 u konvertua në 1 vit, me pezullim dhe 80 orë punë në interes publik. Ndërsa Naile Ajazi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, të reduktuara në 1 vit, me pezullim dhe shërbim prove për 2 vite.
Per dosjen e “sterilizimit “, ish-ministri i shëndetesise Ilir Beqaj, i akuzuar per vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme.
SHKELJET
Hetimet gati 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Referuar hetimeve, vlera e koncesionit që llogaritet rreth 100 milionë euro, është fryrë fiktivisht dhe dhjetëra milionë euro. Para që deri më tani, prokuroria nuk e ka zbuluar se në xhepat e kujt kanë shkuar.
Gjithashtu, lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.
Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Marrë nga Boldnews.al