Një skemë e re mashtrimi është zbuluar nga Policia e Shtetit, e cila synon qytetarët përmes njoftimeve të rreme lidhur me pagesën e gjobave të automjeteve.
Sipas njoftimit të policisë, mesazhet që u dërgohen qytetarëve në emër të e-Albania për “gjobat e makinës” janë të rreme. Qëllimi i këtyre faqeve mashtruese është përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.
Policia thekson se këto mesazhe nuk kanë asnjë lidhje me n e-Albania apo me institucionet shtetërore.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin disa hapa sigurie për të shmangur rënien pre e këtyre skemave.
Njoftimi i Policisë:
Mashtrim i ri me SMS në emër të e-Albania për “gjobat e makinës”
Policia e Shtetit njofton qytetarët se është evidentuar një skemë e re mashtrimi përmes mesazheve SMS, e ngjashme me atë të “Postës Shqiptare”, për të cilën është depozituar kallëzim edhe nga vetë institucioni(Posta Shqiptare), pranë strukturave për Hetimin e Krimive Kibernetike në Policinë e Shtetit.
Mesazhet paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga e-Albania për pagesën e gjobave të automjeteve dhe përmbajnë linke të falsifikuara që drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare.
Këto mesazhe janë mashtrim dhe nuk kanë asnjë lidhje me e-Albania apo me institucionet shtetërore.
Qytetarët këshillohen:
* Të mos klikojnë në linke të dërguara përmes SMS-ve nga numra të panjohur
* Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara
* Të mos veprojnë nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë
Rekomandohet:
* Përdorimi vetëm i faqes zyrtare https://e-albania.al
* Fshirja e menjëhershme e mesazheve të tilla
* Raportimi i çdo rasti pranë autoriteteve
Marrë nga Newsbomb.al