Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje të hënën për kompromis mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi një afat kushtetues mbi njëmujor për këtë çështje do të skadojë në fillim të javës së ardhshme.
“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, dhe kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis e vendime jo të lehta”, tha Kurti.
Ky do të ishte takimi i dytë me mes tyre, pasi ai i fillimuajit përfundoi pa ndonjë marrëveshje për presidentin.
Që prej atëherë, ka pasur pak lëvizje në drejtim të një marrëveshjeje të mundshme dhe Kurti nuk e ka zhvilluar asnjë takim deri tani me partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila thotë se po pret shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.
Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues deri më 28 prill, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.
Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.
Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.
Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.
Gjykata tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.
Marrë nga Balkanweb.com