Një hetim i thelluar i Autoritetit të Konkurrencës ka hedhur dritë mbi një skemë zhvatje, që disa banka kanë ndërtuar me komisionet e sigurimit të kredisë. Rasti më i rëndë është ai i Raiffeisenit, e cila u mban qytetarëve komision ndërmjetësimi deri në 50 për qind të policës së sigurimit të kredive konsumatore.
“Niveli i lartë i komisioneve të ndërmjetësimit të aplikuara në këtë treg ngre dyshime mbi shfrytëzimin e pozitës dominuese në dëm të konsumatorit” thotë Autoriteti i Konkurrencës duke sqaruar me footnote se komisionet e ndërmjetësimit, që Raiffeisen aplikon si broker arrijnë deri në 50 për qind të policës për kreditë konsumatore. Në bankët e tjera komisioni i ndërmjetësimit luhatet rreth nivelit 25 për qind e policës.
Hetimi i Autoritetit te Konkurrences
Hetimi i Konkurrencës ka zbuluar se Raiffeisen kishte një marrëveshje ekskluzive me shoqërinë Sigal, ku orientonte të gjithë qytetarët që merrnin kredi konsumatorë ta blinin policën e sigurimit tek kjo shoqëri duke ngritur kështu një monopol të mbyllur.
Vetë Raiffeisen në rolin e brokerit mbante nga qytetarët gjysmën e policës së sigurimit duke i ngarkuar ata me një kosto zhvatje.
“Marrëveshja ekskluzive e konstatuar për segmentin e kredive konsumatore me shoqërinë Sigal Life, krijon indicie mbi mundësinë që sjellja e bankës të ketë prodhuar efekte kufizuese të konkurrencës dhe t’i ketë orientuar qytetarët drejt shoqërisë së preferuar të bankës,” thuhet në hetim.
Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mos e gjobisë Raiffeisenin pavarësisht praktikave zhvatëse të aplikuara nga banka, por ndërhyri duke e detyruar atë që të përpilojë një formular të vetëm me të gjitha ofertat e shoqërive të sigurimit duke i lënë qytetarët të vendosin vet se ku duan të sigurohen. Paralelisht Konkurrenca urdhëroi bankën të ndryshojë nenin 10 të kontratës standard të kredisë duke i cilësuar kredimarrësit të drejtën për të siguruar jetën në secilën nga shoqëritë e sigurimit të liçencuara nga AMF.
Por Raiffeisen nuk është banka e vetme që ka zbatuar praktika antiligjore në tregun e sigurimit të kredive. UBA Bank dhe Union kishin krijuar po ashtu një rreth të mbyllur monopoli brenda vetes, ndërkohë që në banka të tjera ka dyshime për orientimin e klientëve drejt shoqërive të preferuara të sigurimit.
Megjithatë Autoriteti i Konkurrencës nuk gjobiti asnjë prej bankave, por ndërhyri përmes urdhrave administrative, duke ndaluar marrëveshjet ekskluzive si dhe duke ndryshuar praktikat përmes të cilave bankat kufizojnë konkurrencën në këtë treg.
Marrë nga Kapitali.al