“Masat e sigurisë në shkollat tona janë në garantim 100% të sigurisë së fëmijëve dhe të institucioneve arsimore”.
“Nuk e them thjesht me fjalë, por e para ne jemi në një bashkëpunim 100% me Policinë e Shtetit… Patrullat janë aty çdo mëngjes dhe çdo drekë… për të garantuar gjithë perimetrin rreth e rrotull shkollave”, deklaroi ministrja Kumbaro.
Por vëzhgimi në terren, të dhënat zyrtare dhe raportet institucionale tregojnë një panoramë më pak optimiste.
Terreni
Nga vëzhgimi në terren në datën 30 Prill rezulton se në shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri” në mëngjes nuk kishte asnjë patrullë policie.
Në një tjeter shkollë 9 vjeçare “Gustav Mayer” (në të njëjtën ditë) në mëngjes kishte vetëm një polic bashkiak në mëngjes, ndërsa pas përfundimit asnjë polic.
E njëjta situatë edhe tek një tjetër shkollë 9 vjeçare “Jeronim De Rada”.
Në mëngjes vetëm një polic bashkiak.
Pas përfundimit të orarit mësimor asnjë.
Më e plotë paraqitet situata tek shkolla “Sami Frashëri”. Patrullat e policisë shihen në mëngjes dhe pas përfundimit të orarit.
Oficerët e pamjaftueshëm
Ndër radhë, Ministrja Kumbaro deklaroi se: “Po rrisim numrin e oficerëve të sigurisë… numri i të cilëve është shtuar nga shtatori i vitit 2025”.
Të dhënat e Faktoje tregojnë se nga 274 oficerë në tetor 2025, numri ka arritur në 329 në mars 2026, pra një shtesë prej 55 oficerësh në rreth 6-7 muaj.
Sipas VKM-së, të gjitha institucionet e arsimit të mesëm të lartë, gjimnazet, shkollat e mesme të orientuara dhe ato profesionale, me mbi 80 nxënës duhet të kenë të paktën 1 oficer sigurie.
Planifikim pa përthithje reale
Ndërkohë, të dhënat nga auditimi i fundit i KLSH, tregojnë se rritja e numrit të oficerëve nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm punësimi në terren. Deri në fund të vitit 2024, nga 276 oficerë të planifikuar rezultonin vetëm 212 në detyrë, me vende vakante të paplotësuara. Këto mangësi janë evidentuar vazhdimisht vit pas viti që nga viti 2021.
Një sistem me mangësi
Problemet nuk lidhen vetëm me numrin e oficerëve. Auditimi i KLSH për periudhën 2021-2024 e cilëson sistemin e sigurisë në shkolla si joefektiv, për shkak të mungesës së një kuadri të konsoliduar rregullator, mbikëqyrjes së pamjaftueshme dhe raportimit jo të standardizuar.
Sipas të dhënave të KLSH, për periudhën 2021-2024 janë evidentuar 892 raste dhune fizike, 333 raste dhune psikologjike, 186 raste bullizmi, 178 raste kërcënimi dhe 133 raste përdorimi të substancave.
Rastet e raportuara
Kjo tablo reflektohet edhe në rastet e raportuara në terren. Ngjarje të afërta në kohë, si vrasja e 15-vjeçarit në Durrës në dhjetor 2025, konflikti me pasoja të rënda në Kamëz pranë shkollës ‘Ibrahim Rugova’ dhe më herët vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, tregojnë se problematikat e sigurisë në shkolla mbeten të pranishme.
Përfundim
Ndërsa ministrja Kumbaro flet për një bashkëpunim “100%” me Policinë e Shtetit dhe prani të vazhdueshme të patrullave pranë shkollave, verifikimet në terren dhe raportimet e mëparshme të Faktoje tregojnë se ky bashkëpunim nuk është i njëtrajtshëm në të gjitha institucionet dhe nuk funksionon gjithmonë në mënyrë të standardizuar.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së numrit të oficerëve dhe masave të ndërmarra, sistemi i sigurisë në shkolla mbetet i pjesshëm në mbulim dhe i paqëndrueshëm në zbatim.
Marrë nga Faktoje.al