Raportimet për një projektligj të qeverisë turke, i cili do të përfshinte pretendimet e Ankarasë në Egje dhe Mesdheun Lindor në legjislacionin e brendshëm, po shihen si sinjale paralajmëruese për një përkeqësim të mundshëm të marrëdhënieve greko-turke.
Pavarësisht se hartat dhe detajet e projektligjit nuk janë finalizuar ende, mediat greke raportojnë se projektligji do të zyrtarizonte qëndrimet afatgjata të Turqisë, përfshirë pretendimet se Ankaraja ka juridiksion në lindje të meridianit të 25-të në fusha që variojnë nga kërkim-shpëtimi deri te lejet për kërkime në ujërat ndërkombëtare, si edhe se memorandumi detar Turqi-Libi mbetet i vlefshëm sipas të drejtës ndërkombëtare.
Turqia, ndryshe nga Greqia, nuk e ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit dhe raportohet se po konsultohet mbi terminologjinë ligjore përpara se t’i përfshijë këto dispozita në ligjin e ri.
Disa zyrtarë turq u thanë agjencive të huaja të lajmeve se lëvizja më e fundit mund të rrisë tensionet në Egje. Analistët thanë se qëllimi i Ankarasë nuk është përshkallëzimi i menjëhershëm, por një përpjekje graduale për të “përcaktuar kushtet e veta”.
Zyrtarët turq besojnë se Greqia e ka forcuar pozicionin e saj përmes planifikimit hapësinor detar, parqeve detare dhe afrimit më të madh me operacionet e NATO-s.
Ankaraja është gjithashtu e shqetësuar për zgjerimin e lidhjeve greko-izraelite dhe bashkëpunimin mbrojtës midis Francës dhe Qipros.
Marrë nga Ekathimerini.com