Është arrestuar pas pothuajse tre dekadash, Sokol Hoxhaj, i cili akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos dhe të një gruaje shqiptare, në vitin 1997.
Mësohet se, pasi kreu vrasjen e dyfishtë në vendin e tij të lindjes, Hoxha u arratis, duke u fshehur fillimisht në Greqi dhe më pas duke u zhvendosur në Belgjikë. Aktualisht në ngarkim të tij është vënë një dënim prej 25 vitesh nga gjykatat e vendit tonë, teksa edhe Belgjika e kërkon për të vuajtur dënimin e vrasjes së Brunilda Dervishit.
Sipas hetimeve disavjeçare, veprimtaria kryesore e Sokol Hoxhës në Belgjikë ishte prostitucioni, aktivitet i cili u bë edhe shkak për një vrasje të kryer prej tij në këtë shtet. Dyshohet se Hoxha kishte inskenuar një martesë me Brunilda Hoxhën me qëllim shfrytëzimin e saj, ai e qëlloi atë për vdekje në një lokal në Bruksel, pasi ajo refuzoi t’i bindej urdhrave të tij.
Pas krimit, raportohet se Hoxha u largua drejt Britanisë së Madhe duke përdorur identitet rremë si refugjat kosovar, një taktikë e njohur përmes së cilës siguroi edhe lejen e qëndrimit. Ai nisi kështu një jetë të re, me identitet krejt tjetër, por sërish me barrën e rëndë të tre viktimave në Shqipëri dhe në Belgjikë.
Pas më shumë se dy dekadash, agjencitë hetimore shqiptare morën indicie se vendodhja e Hoxhës ishte në SHBA, pasi agjenci ligjzbatuese amerikane, belge, britanike, kosovare u angazhuan për të shkëmbyer informacione mbi këtë kriminel.
Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë bëri lëvizjen e radhës, duke bërë një kërkesë ekstradimi në SHBA në vitin 2019. Në të njëjtën periudhë, në Britani u ndalua një shqiptar me emrin Sokol Hoxha, por pas verifikimeve nga Interpoli, ai u lirua pas vetëm një jave, pasi rezultoi të ishte një tjetër person, por me të dhëna të ngjashme me të kërkuarin.
Në vitin 2021, hetimet në SHBA u intensifikuan dhe përmes shenjave të gishtave konfirmuan se personi me identitet të rremë ishte Sokol Hoxha. Ai rezulton i dënuar me 25 vite burg në Shqipëri dhe me burgim të përjetshëm në Belgjikë. Pas gati tre dekadash në arrati, 51-vjeçari u arrestua më 5 maj në Ohajo, ndërsa autoritetet amerikane po shqyrtojnë procedurat për ekstradimin e tij. Një mbyllje e suksesshme e një hetimi prej thuajse 30 vitesh për këtë të dënuar, që tashmë do të duhet të përballet me ligjin.
Marrë nga Dosja.al