Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se demokracia në Kosovë po përballet me sfida serioze, duke kritikuar polarizimin politik dhe mungesën e unitetit institucional. Në një intervistë për ABC News dhe Kanal10, Thaçi tha se Kosova aktualisht është e ndarë nga brenda dhe e izoluar nga jashtë nga Perëndimi, duke bërë thirrje që të mos shmangen objektivat strategjike të shtetit.
“Sot demokracia në Kosovë po cënohet nga politika, dominon heshtja. Heshtja dhe indiferenca është karakteri dhe fytyra e së keqes. Kosova e ndarë nga brenda dhe e izoluar nga jashtë nga Perëndimi. Nuk duhet të shmangemi nga objektivat strategjike, kemi ditur të bashkohemi ka dominuar kultura dhe kodi I marrëveshjes.
Në 2014 filloi padrejtësisht logjika e lincimeve. Vendi po shkon në zgjedhje të reja, kjo është e tepërt. Duhet te dominojë interesi shtetëror përkundër atij partiak. Ka mbetur edhe integrimi në NATO e BE. Ata që duan të futen në aktivitete të tjera, pa ambicie nuk realizohet asnjë synim.
Ambiciozi ëndërron por edhe realizon. Ëndërruam lirinë, e shpallëm. Ambicia dhe përgjegjësia duhet të ecin paralelisht, personalisht kam hapur rrugë tri herë edhe pse fitues. Në politikë jo rrallë një hap prapa të hap shtigje të reja. Duhet që gjërat të merren shtruar, me durim,” – tha Thaçi.
Thaçi nënvizoi se hendeku i urrejtjes serbo-shqiptare është i thellë, por sipas tij, urrejtja ngjall vetëm hakmarrje dhe se kjo askënd nuk e ka çuar drejt mirëqenies e zhvillimit.
“PO: Kosova dhe Serbia mund dhe duhet të arrijnë paqe të qëndrueshme. Hendeku i urrejtjes serbo-shqiptare është i thellë. Urrejtja ngjall vetëm hakmarrje; askënd nuk e ka çuar drejt mirëqenies e zhvillimit. Dëgjoj zëra lokalë dhe faktorë ndërkombëtarë madje edhe me ndikim që po sugjerojnë se ky proces duhet të ndodhë hap pas hapi – nga perspektiva e tyre komode akademike apo diplomatike edhe mund të kenë të drejtë – por unë mendoj se do të duhej të ndodhnin veprime të vendosura për zbatimin e marrëveshjeve”, – tha Thaçi.
Ai u shpreh se verdikti përfundimtar i gjykatës, duhet të respektojë parimin e unitetit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe Konventat Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Verdikti përfundimtar duhet të respektojë, detyrimisht, parimin e unitetit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe Konventat Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Të respektohet baza ligjore mbi të cilën Parlamenti i Kosovës themeloi DHSK-të. Populli i Kosovës, në emër të të cilit nxirren vendime në DHSK, duhet ta dijë, kuptojë dhe besojë atë çka ka ndodhur në sallën e gjyqit. Sot për sot qytetari i Kosovës nuk e di, ose di pak – dhe ajo që di është e mjegullt…”, theksoi ai.
Marrë nga ABC News.al