Komisioni Evropian (KE) ua ka ndarë në total 158.9 milionë euro nga ndihma financiare e Planit të Rritjes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi të mërkurën, teksa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, ngelin mbrapa.
Nga ky këst – i treti për këto vende – Shqipërisë i janë ndarë 49 milionë euro, Malit të Zi 44.2 milionë euro, ndërsa Maqedonisë së Veriut 65.7 milionë euro.
Kjo pagesë lidhet me periudhën e tretë gjashtëmujore të raportimit, e cila përfshin reformat e zbatuara deri në fund të dhjetorit 2025.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, pagesa vjen pas kërkesës për ndarjen dhe vlerësimin pozitiv të komisionit për hapat reformues të ndërmarrë në fushën e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe në fushën e arsimit dhe digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut.
Në Komisionin Evropian shpjeguan se një pjesë e këtyre mjeteve financiare të disbursuara për të tri vendet do të transferohet në buxhetet shtetërore, ndërsa pjesa tjetër i kushtohet projekteve investime përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, në përputhje me procedurat në fuqi të miratimit.
Fondet e destinuara për Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, pasi të miratohen nga bordi drejtues, do të mbështesin projekte infrastrukturore në fushat e transportit të qëndrueshëm, energjisë së pastër, zhvillimit digjital dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Plani i Rritjes përfaqëson paketën më ambicioze financiare të Bashkimi Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pakoja – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove.Fondet u ndahen vendeve të rajonit pjesërisht në formë grantesh dhe pjesërisht përmes kredive të favorshme.
Qëllimi i planit është integrimi i partnerëve në tregun unik të BE-së, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimi i reformave të lidhura me BE-në dhe rritja e financimit të para-anëtarësimit. Kjo, nga ana tjetër, pritet të përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe të nxisë rritjen ekonomike të partnerëve.
Kosova, Bosnja e Serbia
Bosnja e Hercegovina është vendi i vetëm që nuk ka marrë asnjë pagesë nga Plani i Rritjes deri më tani, sepse ende nuk e ka miratuar agjendën e reformës.
Kosova, në anën tjetër, e pranoi pagesën e parë muajin e kaluar. Pra, ajo mori 61.8 milionë euro parafinancim, pasi vendi dorëzoi dokumentet e nevojshme në KE dhe ratifikoi marrëveshjet e lidhura me këtë plan.
Megjithatë, Kosova ka ngelur mbrapa në bërjen e reformave të nevojshme dhe tani ka shumë punë për ta zënë hapin, në mënyrë që t’i plotësojë kushtet për pagesat e radhës.
Kosova është zotuar se do të zbatojë 111 hapa reformash, që përfshijnë fusha sikurse sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.
Sipas BE-së, afati i parë për 13 hapa të reformave – që kapin vlerën e 90.8 milionë eurove – është deri më 30 qershor të këtij viti. Ndërsa, në fund të këtij viti do të jetë afati i fundit për 27 hapa të tjera që kapin vlerën e 165.9 milionë eurosh.
Ndërkohë, Serbia, përveç të ashtuquajturit parafinancim që arrin në shtatë për qind të totalit të fondeve të ndara, deri më tani ka marrë një pagesë – gjysmën e shumës së planifikuar, pasi nuk i ka përmbushur të gjitha reformat e parashikuara deri në afatin e caktuar.
Komisioni Evropian po vlerëson nëse Serbia i plotëson kriteret për pagesa të mëtejshme, pasi ajo miratoi ligje në janar që, sipas zyrtarëve të Brukselit, e “kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit”.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë