Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik narkotikësh janë arrestuar në Dubai dhe pritet të ekstradohen drejt Shqipërisë ditën e sotme.
Mes personave që do të sillen për t’u përballur me drejtësinë janë Kristo Qirici, Shkelzen Kraja, Ilir Lazri, Aleks Pepaj, Devit Patrut dhe Merxhan Çeliku. Ky operacion shënon një tjetër goditje ndaj grupeve kriminale, duke mundësuar sjelljen e këtyre individëve në vend për të vuajtur dënimin për veprat penale të kryera.
Policia e Shtetit:
“Pritet të ekstradohen sot, në Shqipëri, 6 shtetasit e kapur në Dubai, pjesëtarë të grupeve kriminale. 6 shtetasit ishin në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe/ose pastrimit të parave.
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të ekstradohen sot, në Shqipëri, shtetasit:
-K. Q. alias J. H. alias J. Q., 44 vjeç; Sh. K., 44 vjeç; A. P. alias Sh. P., 38 vjeç dhe D. P. alias E. S. alias D. B. alias F. P., 39 vjeç, të gjithë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale/veprës penale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-I. L. alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale/veprës penale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-M. C., 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.”, njofton Policia.
Marrë nga Dosja.al