Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra, prej të cilave 3 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 3 janë shuar plotësisht.
Vatrat kryesore aktive janë të përqendruara në qarkun Dibër: në Vajkal, Bulqizë, ku zjarri ka përshkuar mbi 18 ha dhe sot vijon ndërhyrja me MZSH, forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA; në Lundre, Mat, ku zjarri vijon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe operacioni mbështetet gjithashtu nga 30 forca të FA; si dhe në Mallunxë, Mat, ku riaktivizimi i zjarrit nga era e fortë e ka orientuar atë drejt fshatrave Mallunxë dhe Lis.
Nën mbikëqyrje janë gjithashtu vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz, ku kjo e fundit ndodhet në terren shumë të vështirë dhe gjatë ditës së djeshme u ndërhy edhe me helikopter të FA.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.
Marrë nga Top Channel