Një konflikt i raportuar mes biznesmenësh në Orikum, që çoi në ndërhyrjen e policisë dhe ndalimin e tre personave, dyshohet se lidhet me një mosmarrëveshje për një pronë në Palasë, një zonë bregdetare që prej vitesh është kthyer në një nga hapësirat më të lakmuara për zhvillim turistik dhe ndërtim në jug të Shqipërisë.
Policia e Vlorës tha se rreth orës 11:30, më 3 shtator 2026, mori njoftim nga pronari i një resorti, i cili raportoi se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Shërbimet e policisë u nisën drejt zonës dhe ngritën pika kontrolli. Pranë Pusit të Mezinit, efektivët vunë re një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe u vunë në ndjekje të tij.
Sipas policisë, drejtuesi humbi kontrollin e automjetit, i cili u aksidentua. Brenda tij ndodheshin tre persona. Dy prej tyre u dëmtuan nga aksidenti, ndërsa personi i tretë nuk kishte probleme shëndetësore. Gjatë kontrollit, policia gjeti një pistoletë.
Tre personat po merren në pyetje, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë rolin e tyre në konflikt dhe të identifikojnë persona të tjerë të përfshirë.
Burime të njohura me çështjen thanë se përplasja lidhet me një pronë në Palasë, ku biznesmeni Luan Muça synon të zhvillojë një projekt turistik, përfshirë ndërtimin e një resorti.
Sipas burimeve, Muça kishte siguruar dokumentacion pronësie për tokën, por më pas për të njëjtën sipërfaqe kanë dalë pretendime të tjera pronësie nga banorë të zonës. Këta të fundit, sipas burimeve, kanë paraqitur dokumente të lidhura me ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
Për shkak të konfliktit mbi pronësinë, Muça thuhet se ka hyrë në negociata dhe ka vijuar procedurat për zhvillimin e pronës, ndërsa mosmarrëveshja ka mbetur e pazgjidhur.
Burimet thanë se në këtë kontekst duhet parë edhe përplasja e së enjtes në Orikum, ku Bedinaj dhe persona të tjerë dyshohet se kanë kërkuar një pjesë në pronën që po zhvillohet nga Muça. Ky pretendim është kundërshtuar nga Muça.
Në deklarimet e tij pas ngjarjes, Bedinaj ka pretenduar se personat e armatosur i kishin kërkuar një shumë prej rreth 5 milionë eurosh. Hetuesit po shqyrtojnë nëse kërkesa për paratë lidhet drejtpërdrejt me mosmarrëveshjen mbi pronën dhe projektin e ndërtimit në Palasë.
Përplasja dyshohet të ketë nisur fillimisht fizikisht dhe më pas mund të jenë përdorur armë zjarri. Megjithatë, policia nuk ka raportuar gjetjen e gëzhojave në vendngjarje dhe dinamika e plotë e konfliktit ende nuk është përcaktuar.
Palasa dhe zona përreth janë shndërruar vitet e fundit në një nga tregjet më të kërkuara për investime turistike dhe zhvillime të pasurive të paluajtshme në bregdetin shqiptar. Rritja e interesit për ndërtimin e resorteve dhe strukturave turistike ka sjellë edhe konflikte mbi pronësinë dhe përdorimin e tokës, duke e bërë çështjen e titujve të pronësisë një prej problemeve të ndjeshme në zonë.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po heton ngjarjen. Policia tha se po analizon kamerat e sigurisë, dëshmitë e personave të përfshirë dhe të dhëna të tjera operative, ndërsa po vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar.
Marrë nga Shteg.org