KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: 100 ditë “Revolucioni Flamingo”, institucionet nën presion qytetar
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > 100 ditë “Revolucioni Flamingo”, institucionet nën presion qytetar
AnalizeFokusKryesoreOpinionSocialeZhvillim

100 ditë “Revolucioni Flamingo”, institucionet nën presion qytetar

Përditësimi i fundit: 8 Shtator, 2026 9:56 am
108 Shikime
Share
16 Min. Leximi
SHARE

100 ditë pas nisjes së Revolucionit Flamingo, projekti në Zvërnec nuk është anuluar dhe kërkesat kryesore politike të protestuesve nuk janë përmbushur. Ligji për zonat e mbrojtura mbetet në fuqi, ashtu si kuadri ligjor për investitorët strategjikë, Paketa e Maleve dhe ndryshimet në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Por efekti i 100 ditëve të protestës nuk është kufizuar vetëm te realizimi i menjëhershëm i kërkesave të saj. Këto çështje që 100 ditë më parë ishin jashtë vëmendjes së publikut të gjerë, sot janë zhvendosur në institucione, prokurori, në SPAK dhe në agjendën e institucioneve europiane. Zhvillimi, turizmi, natyra, janë pjesë e diskutimeve publike, ndërsa qeveria qartazi ka bërë hapa pas dhe po përpiqet të menaxhojë një krizë që lidhet me transparencën, llogaridhënien dhe marrëdhënien me qytetarët.

Zvërneci, testi i transparencës institucionale

Në ditët e para të protestës, kryeministri Edi Rama këmbëngulte se nuk kishte një projekt të miratuar për ndërtim, duke argumentuar se në zonë po kryheshin studime dhe procedura paraprake.

Ndërkohë, vendimet e KKTU-së tregojnë se më 30 mars 2026 u miratua një leje zhvillimi për projektin “Zvërnec Peninsula”, një kompleks multifunksional banimi, shërbimesh, hotelerie dhe rekreacioni. Më 29 prill, KKTU-ja miratoi edhe lejen për punime rrethimi dhe përgatitore në funksion të rrugëve të aksesit.

Qeveria deklaroi më vonë se bëhej fjalë për leje zhvillimi dhe jo leje ndërtimi dhe se procedura nuk nënkuptonte autorizimin e ndërtimit të resortit. Ndërkohë, më 15 maj, autoritetet njoftuan se projekti do t’i nënshtrohej një vlerësimi të ndikimit në mjedis, përfshirë ndikimet mbi biodiversitetin, habitatet dhe ekosistemin.

Për urbanisten Doriana Musai, rasti i Zvërnecit nxori në pah një problem më të gjerë me mënyrën se si publiku informohet për vendimmarrjen territoriale.

“KKTU merr vendime që mund të ndryshojnë përdorimin e tokës, qytetet dhe bregdetin për dekadat në vijim. Problemi kryesor që evidenton rasti i Zvërnecit është se qytetari e mëson vendimin e institucioneve pasi është marrë vendimi duke i hequr mundësi për të ndikuar mbi të duke dobësuar demokratizimin e proceseve dhe vendimmarrjes”, u shpreh për Citizens.al Doriana Musai.

Sipas saj, deri më tani duhet të ishte e qartë e gjithë dosja vendimmarrëse.

“Vendimet e KKTU-së, leja e zhvillimit dhe e ndërtimit, planvendosja dhe parcelat, parametrat urbanistikë, kushtet e miratimit, VNM-ja dhe aktet mjedisore, dhe dokumentet për zonën e mbrojtur. Pra, publiku duhet të jetë në gjendje të kuptojë si është kaluar nga një territor me regjim mbrojtjeje te një territor i hapur për zhvillim”, argumenton Musai.

Ajo e vendos përgjegjësinë drejtpërdrejt te KKTU-ja.

“Përgjegjësia e KKTU-së është ta bëjë vendimmarrjen të gjurmueshme për publikun”, thotë ajo, duke argumentuar se qytetarët duhet të dinë çfarë është miratuar, mbi çfarë baze ligjore, për cilën sipërfaqe dhe pronë, kush është zhvilluesi dhe mbi cilat dokumente mjedisore e territoriale është marrë vendimi.

“Transparenca këtu është detyrim institucional, jo përgjigje ndaj protestës”, thekson Musai.

Sipas analizës së saj të vendimeve të publikuara në faqen e AZHT-së, në katër mbledhje të marsit dhe prillit 2026, 186 nga 238 vendime, ose rreth 78 për qind, nuk ishin publikuar online.

“Protesta ka rritur presionin publik dhe ka bërë që dokumentet të kërkohen e të analizohen shumë më tepër. Por problemi mbetet”, thotë Musai.

Ajo ngre pikëpyetje edhe për faktin se KKTU nuk është mbledhur nga fundi i prillit deri në fillim të shtatorit. Sipas analizës së saj, në pesë vitet 2021–2025, KKT/KKTU është mbledhur 12 herë gjatë muajve qershor–gusht, ndërsa vetëm në vitin 2025 zhvilloi gjashtë mbledhje gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, Musai thekson se nuk mund të provohet se mungesa e mbledhjeve këtë vit është shkaktuar nga protesta. Kjo e bën të vështirë edhe një përfundim të prerë për efektin e saj institucional.

“Protesta ka rritur kontrollin qytetar por ende sot pas 100 ditësh nga nisja e saj nuk kemi ende prova për një ndryshim sistemik të transparencës institucionale”, shprehet Doriana Musai.

“BESA”, “Pasqyra” dhe “Prania Besnike”: përgjigje ndaj presionit apo ndryshim fjalori?

Nëse Zvërneci është testi i parë për ndikimin e protestës mbi vendimmarrjen konkrete, një tjetër është mënyra se si qeveria ka nisur të flasë për marrëdhënien me qytetarin.

Në muajt pas nisjes së protestës janë prezantuar “BESA”, “Pasqyra Albania” dhe “Prania Besnike”, iniciativa që qeveria i ka lidhur me besimin, transparencën, llogaridhënien dhe kontaktin më të drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Prania Besnike”, sipas kryeministrit Rama, synon që deputetët të zhvillojnë çdo të premte dëgjesa me qytetarët dhe të marrin shqetësimet e tyre për t’i adresuar më pas në institucionet përkatëse.

Pyetja është nëse këto iniciativa përfaqësojnë një reagim ndaj presionit të krijuar nga Revolucioni Flamingo apo një formë të re të komunikimit politik të qeverisë.

Për Adri Nurellarin, analist i politikës, përgjigjja është “të dyja”.

“Mund të konsiderohen një arritje indirekte e presionit qytetar, sepse tregojnë se pushteti e ka kuptuar se ekziston një problem me besimin, transparencën dhe marrëdhënien me qytetarin”, thotë ai.

Por, sipas tij, mënyra e reagimit të qeverisë është karakteristike për mënyrën e qeverisjes së Ramës: “përpara se të ndryshojë realitetin, ndryshon fjalorin me të cilin e përshkruan atë”.

“Nuk shpik BESËN nëse nuk ke krizë besimi; nuk krijon Pasqyrën nëse nuk ke problem me transparencën; dhe nuk shpik Praninë Besnike nëse marrëdhënia mes qytetarit dhe të zgjedhurit funksionon normalisht”, thotë Nurellari.

Por ai kërkon që këto nisma të mos maten me emrin apo mënyrën e prezantimit, por me rezultatet.

“Emërtimi i problemit nuk është zgjidhja e problemit”, thotë ai.

Në një shtet normal, argumenton Nurellari, qytetari nuk duhet të ketë nevojë për një “Besë” nga kryeministri, por për ligje dhe institucione që funksionojnë; nuk duhet të ketë nevojë për një platformë që t’i tregojë vetëm atë që qeveria dëshiron të tregojë, por për transparencë edhe mbi atë që pushteti nuk dëshiron të publikojë.

“Rilindishtja” si një strategji tipike e këtij kryeministri pagëzues. Sa herë që një problem bëhet i dukshëm, Rama ka një talent të jashtëzakonshëm për ta ripagëzuar; i vendos një emër, një logo, një sllogan një platformë dhe krijon përshtypjen se emërtimi i problemit është edhe zgjidhja e tij. Kur plas një hall, qeveria hap fjalorin më shpejt se kutinë e veglave”, argumenton Nurellari për Citizens.al.

Edhe Gjergj Erebara, gazetar në profesion dhe aktivist i zëshëm në Revolucionin Flamingo, është kritik ndaj mënyrës se si qeveria po i përgjigjet presionit të protestës.

Për të, “Pasqyra Albania” nuk përfaqëson ndryshimin institucional që kërkoi protesta, por vijimin e një modeli politik të centralizuar.

“Pasqyr Albania është asgjë më shumë sesa vijimi i partitizmit, ndërsa Revolucioni i Flamingove është pikërisht e kundërta e kësaj. Lëvizja kërkon pikërisht rrëzimin e partitizmit të trashëguar nga Partia e Punës dhe të përforcuar nga Kodi Zgjedhor 2008 (me ndryshimet e mëvona), dhe krijimin në vend të kësaj, të një strukture shtetërore llogaridhënëse, kontrolluar nga një pushtet legjislativ përfaqësues”, thotë Erebara.

Sipas tij, protesta kërkon një strukturë shtetërore më llogaridhënëse dhe më të kontrolluar nga një pushtet legjislativ përfaqësues.

“Pasqyr Albania është, si të thuash, një pije freskuese. Ka pak ose aspak substancë reale, por është pompuar me reklamë”, thotë ai.

Nga sheshi te prokuroria dhe SPAK-u

Një nga zhvillimet më konkrete të 100 ditëve të Revolucionit Flamingo është zhvendosja e një pjese të betejës nga protesta drejt institucioneve të drejtësisë.

Qytetarë, aktivistë dhe organizata mjedisore kanë nisur të përdorin mekanizmat ligjorë për të kërkuar hetimin e ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura dhe të mënyrës se si janë marrë vendimet për projektet turistike.

Më 4 gusht, Qendra Res Publica dhe Eco Albania depozituan në Prokurorinë e Vlorës një kallëzim penal për ndërhyrjet në Pishë Poro–Nartë, duke kërkuar hetimin e punimeve të kryera në funksion të projektit “Zvërnec Peninsula”, por edhe të rolit të institucioneve mbikëqyrëse.

Në kallëzim kërkohet verifikimi i punimeve, statusit të pronës, dokumentacionit administrativ dhe ligjshmërisë së ndërhyrjeve, ndërsa ngrihen dyshime edhe për mosveprimin e institucioneve përgjegjëse. Një kallëzim tjetër ishte dorëzuar më herët edhe nga organizata mjedisore PPNEA.

Kallëzimi u mbështet edhe në një raport teknik të biologut Olsi Nika, sipas të cilit ndërhyrjet e kryera gjatë muajve mars–qershor kanë prekur dunat ranore, vegjetacionin, pyllin bregdetar dhe kanalet e lidhjes mes lagunës dhe detit. Raporti ngre gjithashtu shqetësime për ndikimin e punimeve në habitatin e breshkës detare Caretta caretta dhe në lëvizjen e faunës.

Por beteja ligjore nuk u ndal te Zvërneci.

Më 12 gusht, një grup prej 11 qytetarësh depozitoi në SPAK një tjetër kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama dhe funksionarëve të tjerë publikë, duke kërkuar verifikimin e procedurave të ndjekura për tre projekte turistike në zona me rëndësi mjedisore: Zvërnecin, Baks-Rrjollin dhe Divjakë-Karavastanë.

Kallëzuesit kërkuan që SPAK të hetojë nëse janë respektuar detyrimet ligjore për planifikimin territorial, procedurat urbanistike, vlerësimet mjedisore, konsultimin publik, transparencën administrative dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura.

Rëndësia e këtij kallëzimi qëndron edhe te mënyra se si qytetarët e kanë formuluar çështjen: jo si tre raste të shkëputura, por si pjesë të një modeli të mundshëm vendimmarrjeje. Në dosje kërkohet të verifikohet nëse ndryshimet ligjore dhe nënligjore kanë krijuar një mekanizëm që ka lehtësuar zhvillimin e projekteve të caktuara dhe nëse mund të ketë pasur bashkëpunim të organizuar mes aktorëve publikë dhe privatë.

Në këtë proces kanë hyrë edhe materialet investigative të publikuara nga Citizens.al. Sipas kallëzimit, “The Albanian Files” dhe dosja “Kush e zotëron bregdetin shqiptar – Dosjet e KKTU-së” janë përdorur si burime dhe indicie për të identifikuar projekte, vendimmarrje dhe procedura që kërkohet të verifikohen nga SPAK.

Kallëzuesit kërkojnë që hetimi të mos kufizohet vetëm te rastet e evidentuara në “The Albanian Files”, por të shtrihet edhe në projekte të tjera ku mund të jenë përdorur të njëjtët mekanizma.

Nga Tirana në agjendën europiane

Ndërsa beteja zhvendosej drejt institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, çështja e Zvërnecit dhe e zonave të mbrojtura po merrte një tjetër dimension jashtë vendit.

Mobilizimi i diasporës e kishte shtrirë protestën në dhjetëra qytete jashtë Shqipërisë. Por efekti institucional ndërkombëtar u bë më i dukshëm kur çështja hyri në tryezat e institucioneve europiane dhe u lidh me detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Më 17 qershor, Parlamenti Europian kërkoi një moratorium të menjëhershëm për lejet e reja, ndërtimet dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, deri në shfuqizimin e ndryshimeve të papajtueshme me standardet europiane dhe kryerjen e vlerësimeve gjithëpërfshirëse mjedisore.

Në korrik, një grup eurodeputetësh vizitoi Zvërnecin dhe e cilësoi mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër korrupsionit si një test për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ndërkohë, çështja e Vjosë-Nartës u ngrit edhe përpara Konventës së Bernës, e cila kërkoi llogari për zhvillimet në këtë zonë të mbrojtur.

Presioni europian vazhdoi edhe në gusht. Në përgjigje të pyetjeve të 11 eurodeputetëve, Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se Shqipëria duhet të përafrojë legjislacionin e saj me acquis-in e BE-së për mbrojtjen e natyrës, përfshirë shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura dhe përfundimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Komisioni Europian tha gjithashtu se po e ndiqte nga afër projektin në Pishë Poro-Nartë dhe se ai duhet të jetë në përputhje me detyrimet e Kapitullit 27.

“Kjo është një nga arritjet më të prekshme institucionale: një kauzë që nisi nga qytetarët u fut në agjendën europiane”, tha Adri Nurellari për Citizens.al.

100 ditë më pas: qytetarët nga spektatorë në aktorë

Pas 100 ditësh, bilanci i Revolucionit Flamingo mbetet i dyfishtë.

Nga njëra anë, projekti në Zvërnec nuk është anuluar dhe kërkesat kryesore politike të protestuesve nuk janë përmbushur. Nuk ka gjithashtu prova që presioni i protestës të ketë sjellë një ndryshim sistemik në mënyrën se si institucionet marrin dhe publikojnë vendimet.

Nga ana tjetër, çështje që në fillim zhvilloheshin kryesisht në shesh janë zhvendosur në disa nivele njëkohësisht. Vendimmarrja e KKTU-së është vendosur nën kontroll më të madh publik, projekte të caktuara janë bërë objekt kallëzimesh penale, SPAK-ut i është kërkuar të hetojë një model më të gjerë vendimmarrjeje, ndërsa zonat e mbrojtura janë kthyer në një çështje të lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian.

Sipas Adri Nurellarit, për vite me radhë është pranuar pothuajse automatikisht formula “investim = zhvillim”. Por protesta e ka zhvendosur debatin drejt pyetjeve se për kë është zhvillimi, me pasurinë e kujt realizohet dhe kush mban kostot.

“Ra edhe maska e fjalës ‘zhvillim’”, thotë Nurellari, ndërsa shton se ka ndryshuar edhe perceptimi për pronën publike.

“Kur një komunitet në Vlorë reagon për Zvërnecin, një qytetar në Tiranë për një park, dikush në veri për një lumë apo një komunitet bregdetar për një plazh, po lind ideja se pasuria publike nuk është pasuria e dikujt por është pasuria e të gjithëve”, argumenton Nurellari.

Pikërisht për këtë sipas Nurellarit, qytetari ka të drejtë të kërkojë informacion, konsultim dhe llogari për mënyrën se si përdoret.

“Për mua ky është ndryshimi kulturor më interesant sepse kemi kaluar nga ambientalizmi si mbrojtje e natyrës, te mjedisi si çështje e demokracisë”, shprehet Adri Nurellari.

 

Marrë nga Citizens.al

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Vrasja në Ekuador: Aktivistja polake, dosjet e zhdukura dhe mafia shqiptare

Veliaj akuzon Burgjet për “transferim politik” nga Durrësi, në Fier

“Stabiliteti” i Edi Ramës: Iluzioni i Perëndimit dhe kostoja për demokracinë shqiptare

Kroacia bllokon fiq të thatë me toksinë kancerogjene dhe speca me helme nga Shqipëria

Trojka zbret në Tiranë: ndërkombëtarët marrin në dorë krizën

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm 100 ditë “Revolucioni Flamingo”, kultura e re e protestës qytetare
Artikulli tjetër 16 të shtuna protestash në Milano, shqiptarët e Lombardisë vijojnë rezistencën

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Netanyahu fitoi vendin e parë në zgjedhje, por humbi shumicën
Aktuale Analize Bota Politike 28 Tetor, 2026
Tragjedia hekurudhore në Spanjë, shkon në 64 numri i viktimave
Aktuale Analize Bota Fokus Sociale 28 Tetor, 2026
Ambasadori i OSBE reagon për protestat: Ka mungesë dialogu, qytetarëve duhet t’u dëgjohet zër
Fokus Koment Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 28 Tetor, 2026
Erion Veliaj transferohet nga burgu i Durrësit, në Fier
Aktuale Analize Fokus Kryesore Politike 28 Tetor, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.