Prej 100 ditësh, një pjesë e Bulevardit Dëshmorët e Kombit është kthyer në shesh. “Revolucioni Flamingo” është protesta më e gjatë e këtyre përmasave e shënuar në Shqipëri. Një hapësirë ku pakënaqësitë mbi problemet shoqërore, politike dhe ekonomike takohen çdo ditë, në të njëjtën orë. Protesta nisi si kundërshtim ndaj ndërhyrjeve në natyrë dhe zonat e mbrojtura dhe, me kalimin e javëve, është zgjeruar në një revoltë më të gjerë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi, si është shpërndarë pushteti dhe si merren vendimet që prekin jetën e qytetarëve.
Në një shoqëri ku protesta shpesh është identifikuar me partitë politike, Revolucioni Flamingo ka krijuar një kulturë të re. Një tubim i përditshëm, pa një strukturë të vetme drejtuese dhe me njerëz që mbërrijnë në shesh për arsye jo gjithmonë të njëjta. Disa protestojnë për territorin, të tjerë për korrupsionin, për mungesën e meritokracisë, emigrimin, mungesën e përfaqësimit politik apo pabarazinë. Pikërisht kjo shumësi është bërë një nga karakteristikat kryesore të protestës.
Në shesh bashkëjetojnë forma të ndryshme organizimi dhe mënyra të ndryshme të të protestuarit. Ka pankarta, muzikë, fjalime, performanca, marshime dhe qytetarë që marrin mikrofonin për të treguar problemet dhe zemëratën e tyre ndaj klasës politike.
Pavarësisht kërkesave dhe bindjeve të ndryshme, një thirrje arrin shpesh t’i bashkojë protestuesit: “Rama në burg, Berisha në burg.” Në pak fjalë, ajo përmbledh edhe një prej tipareve që e kanë dalluar protestën: refuzimin për ta kanalizuar pakënaqësinë qytetare brenda ndarjes tradicionale PS-PD.
Kritikët e saj nënvizojnë se, politikisht, protesta nuk ka arritur t’i plotësojë kërkesat. Por 100 ditët e Revolucionit Flamingo kanë prodhuar diçka tjetër: një brez të ri aktivistësh, forma të reja proteste dhe një hapësirë ku pakënaqësi të fragmentuara qytetare janë bashkuar në një narrativë të përbashkët.
Protesta që ndryshoi mënyrën e të protestuarit
Sipas analistit Lutfi Dervishi, lëvizja ka krijuar, para së gjithash, një fenomen të paprecedentë: protestën e përditshme. Ai thotë se, deri më 30 maj, protestat në Shqipëri përgjithësisht ngjanin me ftesat për dasmë, ku caktohej data, ora dhe vendi dhe, pas dy-tri orësh, secili kthehej në shtëpi.
“Flamingot thyen duopolin PS-PD mbi protestën politike dhe dëshmuan se mund të krijosh presion politik edhe pa seli, pa degë, pa deputetë, pa mjete, pa patronazhistë dhe pa makinerinë e një partie”, thekson Dervishi.
Sipas tij, një goditje serioze mori edhe narrativa që e redukton qytetarin në votues, “duke e trajtuar si dele që voton një herë në katër vjet dhe pastaj lihet të blegërijë i lirë në Facebook dhe kafene”. Revolucioni Flamingo, argumenton Dervishi, tregoi një qytetar që refuzon të presë në heshtje 1,400 ditët mes dy palë zgjedhjeve, ndërsa përballet me çmime “europiane” dhe paga “ballkanike”.
“Vera, pushimet dhe lodhja mund ta ulnin numrin e protestuesve, por jo arsyet për të protestuar. Madje, çdo përpjekje për ta intimiduar protestën i dha lëvizjes një arsye më shumë për të qëndruar”, përfundon Dervishi për Citizens.
Një brez i ri aktivistësh
Uestli Guci, 23 vjeç, thotë se kjo është protesta e parë në të cilën është angazhuar plotësisht. Gjatë protestës së studentëve ishte ende shumë i ri dhe kishte marrë pjesë vetëm një ditë.
“Për herë të parë nuk jemi duke u ankuar thjesht në tavolinat e kafeneve me shoqërinë tonë për sistemin që Rama dhe Berisha kanë ndërtuar, por po e ngremë hapur zërin për të drejtat tona. Tani nuk ka më kthim pas”, thotë Uestli për Citizens.
Mes arsyeve të protestës, ai përmend meritokracinë dhe pamundësinë për të jetuar me dinjitet. Sipas Uestlit, duhet një ndryshim në Kodin Zgjedhor për t’u dhënë më shumë hapësirë partive të reja.
“Që kur ka nisur kjo protestë, shoh që të rinjtë po kërkojnë më shumë të drejta, po denoncojnë atë që është gabim dhe nuk kanë më të njëjtën frikë nga ky sistem i korruptuar. Jo vetëm që nuk kemi frikë, por kemi gjetur guximin për të qëndruar në këmbë dhe për t’u përballur”, përfundon ai.
Rënia e mitit të Kryeministrit “cool”
Për gazetarin Gjergj Erebara, 100 ditët e protestës kanë ekspozuar edhe një tjetër përplasje: atë mes imazhit që pushteti ka ndërtuar për veten dhe mënyrës se si është përballur me zërat kritikë. Sipas tij, gjatë protestës janë përdorur një sërë mekanizmash presioni, nga sulmet ndaj aktivistëve dhe gazetarëve te përpjekjet për t’i delegjitimuar ata përmes akuzave dhe insinuatave.
“Rama është një autokrat i cili i ka përdorur gjatë këtyre protestave, por edhe më herët, të gjithë gamën e mjeteve në dispozicion të autokracive model 21, nga kontrolli i imtësishëm i medias te bullizimi i zërave kritikë”, thotë Erebara.
Sipas Erebarës, presioni është shoqëruar edhe me përpjekje për përçarje dhe delegjitimim përmes akuzave për ndërhyrje apo financime të huaja.
Në këtë përplasje, sipas tij, një nga humbëset ka qenë edhe media tradicionale. “Protestat shërbyen për të diskredituar përfundimisht mediat tradicionale, të cilat ndoqën qeverinë dhe i shërbyen asaj njësoj si mjetet e propagandës në një shoqëri totalitare”, argumenton ai, duke i akuzuar ato për dezinformim dhe përhapje insinuatash ndaj protestuesve.
Por Erebara sheh një ndryshim edhe në mënyrën se si protesta ka ndikuar në imazhin ndërkombëtar të kryeministrit Edi Rama. Për vite, sipas tij, Rama ka përfituar nga portretizimi si një udhëheqës eksentrik dhe jokonvencional i një vendi periferik, një imazh i ushqyer edhe nga daljet e tij joformale me liderët europianë.
“Protesta ka përmbysur një narrativë të krijuar prej kohësh në median ndërkombëtare […] duke i bërë shqiptarët ‘cool’ dhe Ramën demode”, thotë Erebara.
Sipas tij, përmbysja qëndron te ndryshimi i protagonistit të historisë: nga një kryeministër që tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare për ekscentricitetin e tij, te qytetarët që protestojnë për mbrojtjen e natyrës, kundër korrupsionit dhe lidhjeve mes interesave ekonomike dhe pushtetit.
Diaspora kthehet, jo vetëm për pushime
Gjatë 100 ditëve, diaspora nuk e ka mbështetur protestën vetëm nga jashtë vendit. Në tri raste, shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme janë rikthyer në bulevard, duke iu bashkuar masivisht protestës dhe duke e kthyer përkohësisht largimin në rikthim dhe praninë fizike në një formë tjetër kundërshtimi.
Teksa i përgjigjet pyetjeve të Citizens, Silvana Palushi është duke u drejtuar drejt protestës që do të zhvillohet më 7 shtator përpara Ambasadës Shqiptare në Berlin. Për të, largimi nga Shqipëria nuk ka nënkuptuar edhe shkëputjen nga ajo që ndodh në vend.
“Marr pjesë në protesta sepse nuk besoj se largimi nga Shqipëria duhet të nënkuptojë dorëzimin ndaj realitetit që na detyroi të largohemi. Protesta është një formë e të mospranuarit të kësaj gjendjeje si diçka normale apo të pandryshueshme”, tregon ajo për Citizens.
Sipas Palushit, për një kohë të gjatë qytetarëve u është përcjellë ideja se nuk ka alternativë, se pushteti është shumë i fortë dhe se e vetmja zgjidhje mbetet largimi nga vendi. Revolucioni Flamingo, thotë ajo, po sfidon pikërisht këtë bindje, duke treguar se pushteti nuk është i paprekshëm kur përballë tij ka qytetarë të organizuar dhe të vendosur për të mos heshtur.
“Nuk dua thjesht një rotacion pushteti apo një ndryshim emrash; dua një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si funksionon pushteti dhe shoqëria në Shqipëri”, përmbyll Palushi.
Marrë nga Citizens.al