Kompania 4iG ka nisur përgatitjet për hyrjen në tregun amerikan të aksioneve, me plane aktuale për të listuar aksionet e saj në Nasdaq gjatë tremujorit të fundit të vitit 2027.
Bordi i drejtorëve të kompanisë ka vendosur të nisë procesin përgatitor, çka do të thotë se listimi nuk mund të konsiderohet ende i sigurt: një vendim përfundimtar mbi strukturën dhe zbatimin e tij mund të merret pas analizave që do të kryhen në muajt në vijim.
Kompania njoftoi se në këtë proces, 4iG do të angazhojë banka investimi amerikane, studio ligjore, auditorë dhe këshilltarë të tregut të kapitalit. Së bashku me ta, kompania do të shqyrtojë strukturat e mundshme, kushtet e nevojshme dhe afatet kohore, si dhe çështjen nëse do të jetë e nevojshme të sigurohet kapital shtesë për këtë hyrje në treg. Si pjesë e përgatitjeve, operacionet e grupit do t’i nënshtrohen një shqyrtimi të plotë, ndërsa sistemet e raportimit, kontrollit të brendshëm dhe qeverisjes së korporatës do të duhet të përshtaten me kërkesat e tregut amerikan të kapitalit.
Kompania deklaron se kalimi në Nasdaq synon të arrijë një bazë më të gjerë investitorësh ndërkombëtarë, të rrisë likuiditetin e aksioneve të saj dhe të krijojë mundësi shtesë financimi.
Vendimi për listim në Nasdaq vjen pas problemeve, me të cilat pronari i One Albania, po përballet në vendin e saj. Qeveria e re hungareze e ka cilësuar ato si një nga kompanitë kryesore të oligarkisë në regjimin e Orbanit dhe ka urdhëruar një hetim të madh mbi kontratat dhe paratë që kompania ka përfituar nga buxheti i shtetit.
Marrë nga Kapitali.al