Për të tretën ditë radhazi, Policia ka vijuar gjobitjen me vlerë 50 mijë lekë të vjetra për protestuesit. Në kuadër të tubimit të zhvilluar më 4 nëntor, janë gjobitur 31 protestues. Policia njofton se nën hetim në gjendje të lirë janë vënë Dritan Goxhaj dhe Edison Lika, të cilët kundërshtuan punonjësit e policisë dhe nuk i vunë në dispozicion dokumentet e identifikimit për procesverbalin e gjobës.
Dy aktivistët u shoqëruan në Komisariat gjatë momentit, ku disa protestues u përplasën fizikisht me efektivët dhe rrethuan furgonin e policisë, në përpjekje për të penguar largimin e tyre.Në orët e mbrëmjes Goxhaj dhe Lika u lanë të lirë.
Njoftimi i policisë:
Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve, gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 31 masa administrative.
Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 31 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit.
Për secilin prej këtyre shtetasve është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 5 000 lekë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit D. G. dhe E. L., pasi dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të paraqitur dokumentet e identifikimit.
Marrë nga Zëri.al