Florent Hadërgjonaj ka bërë të ditur tërheqjen e tij nga Përfaqësuesja e Kosovës, në një zhvillim që vjen në një periudhë të rëndësishme për “Dardanët”.
Mbrojtësi ka komunikuar vendimin përmes rrjeteve sociale, duke lënë të kuptohet se shkak për këtë hap është mungesa e mirëkuptimit me trajnerin Franco Foda.
Tërheqja e Hadërgjonajt vjen në një moment delikat për Kosovën, e cila brenda vetëm 10 ditësh do të ketë një kalendar të ngjeshur me katër ndeshje në Ligën e Kombeve. Fillimisht, më 24 shtator, “Dardanët” do të presin Irlandën në Prishtinë, përpara transfertës ndaj Austrisë më 27 shtator.
Më 1 tetor, Kosova do të përballet me Izraelin në Hungari, ndërsa cikli do të mbyllet më 4 tetor, sërish në Prishtinë, me ndeshjen ndaj Austrisë.
Në këto rrethana, largimi i Hadërgjonajt i krijon stafit teknik një tjetër problem për repartin e mbrojtjes. Alternativa kryesore në krahun e djathtë mbetet Mërgim Vojvoda, i cili mban edhe rekordin si futbollisti me më shumë paraqitje në historinë e Përfaqësueses së Kosovës.
Vendimi i Hadërgjonajt pritet të hapë diskutime të reja rreth situatës së tij me trajnerin Foda dhe rolit që mbrojtësi kishte në planet e përfaqësueses.
Marrë nga SuperSport.al