Vetëm 59% e popullsisë së raportuar në juridiksionet e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve kishte akses në rrjetin e kanalizimeve në vitin 2025, ndërsa vetëm pesë operatorë rajonalë raportojnë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura që janë njëkohësisht në funksion dhe të licencuara nga ERRU.
Nga 4,460,604 banorë që operatorët raportojnë në zonat e tyre të juridiksionit, 2,620,621 banorë përfitojnë shërbimin e kanalizimeve, me gjithsej 762,439 lidhje. Numri i lidhjeve u rrit me 23,585 gjatë vitit dhe mbulimi u përmirësua nga 57% në 59%, pra me 2 pikë përqindjeje. Rezultati është mbi objektivin 55.5% të Strategjisë Kombëtare për vitin 2025, por diferencat mes rajoneve mbeten shumë të mëdha.
Sipas klasifikimit të ERRU-së, vetëm pesë operatorë kanë performancë të mirë për mbulimin me kanalizime dhe dy janë në nivel të pranueshëm, ndërsa 10 nga 17 shoqëritë klasifikohen në performancë të dobët, me mbulim nën 55%. Nivelin më të ulët e ka Dibra me vetëm 22.5%, pasuar nga Lushnja me 24.6% dhe Kukësi me 29.1%.
Situata është edhe më e kufizuar kur nga grumbullimi i ujërave të ndotura kalohet te trajtimi i tyre. Në fund të vitit 2025, vetëm Korça, Pogradeci, Durrësi, Lezha dhe Shkodra kishin impiante të trajtimit të ujërave të ndotura në funksion dhe ishin të licencuara nga ERRU për këtë aktivitet.
Për Sarandën dhe Vlorën raporti thotë se mbetet ende për t’u përfunduar procesi i vënies në funksion dhe licencimit të impianteve. ERRU nënvizon gjithashtu se treguesi 59% mat vetëm aksesin në grumbullimin dhe largimin e ujërave të ndotura dhe nuk tregon se sa prej tyre trajtohen realisht, as gjendjen funksionale të rrjeteve ekzistuese. Kjo e bën mbulimin me kanalizime dhe kapacitetin e trajtimit dy probleme të ndryshme.
Përmirësimi gjatë viteve të fundit është përqendruar kryesisht në zonat urbane, ndërsa në zonat rurale shërbimi vijon të jetë më i kufizuar. Raporti evidenton se zgjerimi i rrjetit të furnizimit me ujë ka ecur më shpejt se infrastruktura e kanalizimeve, duke ruajtur një hendek të konsiderueshëm mes dy shërbimeve.
Marrë nga Ekofin.al