Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Nju Jorku pas masës së arrestit në shtëpi të vendosur nga SPAK ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Në një tjetër piruetë të detyruar, Rama thotë se (ndryshe nga si veproi në rastin e Ballukut) pret që çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës të hetohet dhe të zbardhet deri në fund nga drejtësia, duke theksuar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, pavarësisht funksionit publik.
“Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë”, shprehet Rama.
Kryeministri kritikoi gjithashtu mënyrën se si çështjet penale ndaj zyrtarëve publikë, sipas tij, kthehen menjëherë në beteja politike dhe mediatike, përpara se gjykatat të japin një vendim përfundimtar.
Rama kundërshtoi edhe interpretimin se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë akuzë ndaj vetë mazhorancës, duke argumentuar se qeveria socialiste ishte ajo që krijoi kushtet për pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, deklaroi ai.
Rama tha se nuk do të komentojë mbi themelin e dosjes dhe as nuk do të marrë në mbrojtje Hysenin përballë drejtësisë, duke e cilësuar përgjegjësinë penale si çështje individuale mes personit nën hetim, prokurorisë dhe gjykatës.
Në fund të reagimit, kryeministri njoftoi se Vlora Hyseni do të lirohet menjëherë nga detyra e drejtoreshës së SHISH-it.
“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, deklaroi Rama.
Reagimi:
Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë. Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor. Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik. Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj. E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh. As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo. Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi: Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë. Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Marrë nga Lapsi.al