Pas debatesh të ashpra dhe disa mocioneve të votëbesimit, reforma e planifikuar e sistemit zgjedhor në Itali kaloi pengesën e fundit parlamentare. Dhoma e Deputetëve në Romë, ku koalicioni qeverisës i përbërë nga tri parti të djathta dhe konservatore ka shumicën, miratoi projektin e kryeministres Giorgia Meloni. Për reformën votuan 227 deputetë, ndërsa 164 ishin kundër. Senati, dhoma e dytë e parlamentit italian, e kishte miratuar reformën që në mesin e shtatorit.
Para votimit, Meloni kishte kërcënuar me dorëheqje nëse reforma nuk do të miratohej nga parlamenti. Për këtë arsye, votimi përfundimtar këtë enjte (08.10.2026) u prit me interes të madh.
Votim i fshehtë në Dhomën e Deputetëve
Votimet e besimit të zhvilluara të martën dhe të mërkurën për nenet e veçanta të reformës u mbajtën me votim nominal. Ndërsa votimi përfundimtar u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Opozita shpresonte se disa deputetë të koalicionit qeverisës do të votonin kundër. Në rast se reforma do të dështonte, skenari më i mundshëm do të ishin zgjedhjet e parakohshme.
Pas miratimit të reformës, deputetët e opozitës protestuan duke ngritur pankarta në sallën parlamentare.
“Ne po vendosim rregulla që synojnë të forcojnë stabilitetin dhe kohezionin parlamentar të çdo qeverie”, shkroi Meloni në platformën X pas votimit. “Kush fiton zgjedhjet duhet të jetë në gjendje edhe të qeverisë.”
Bonusi i shumicës
Reforma e promovuar nga kryeministrja parashikon që fituesi i zgjedhjeve parlamentare, qoftë një parti apo një koalicion partishë, të përfitojë automatikisht një të ashtuquajtur “bonus shumice” nëse arrin të paktën 42 për qind të votave.
Në këtë rast, partisë ose koalicionit fitues do t’i jepen edhe 70 vende shtesë në Dhomën e Deputetëve dhe 35 vende shtesë në Senat.
Opozita bën fjalë për avantazh të qëllimshëm politik
Në këtë mënyrë, një fitore e ngushtë zgjedhore mund ta shndërrohet në një shumicë të rehatshme parlamentare. Opozita e qendrës së majtë e kritikon reformën si një përpjekje të qëllimshme për t’i siguruar përparësi koalicionit të Melonit.
Sipas opozitës, reforma synon t’i krijojë një pozicion më të favorshëm Melonit, partisë së saj të djathtë Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë) dhe koalicionit qeverisës në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Në vitin 2027 do të zgjidhen të dy dhomat e parlamentit italian.
Meloni: Italia ka nevojë për stabilitet
Nga ana tjetër, kryeministrja argumenton se reforma është e nevojshme për të garantuar shumica të qëndrueshme dhe qeveri afatgjata. Që nga themelimi i Republikës Italiane në vitin 1946, Italia ka pasur gjithsej 68 qeveri, përfshirë edhe kabinetin aktual të Melonit.
49-vjeçarja ka qëndruar në pushtet me koalicionin e saj më gjatë se çdo qeveri tjetër e mëparshme, duke ushtruar funksionin e kryeministres për gati katër vjet pa ndërprerje.
Efektet e reformës mbeten të paqarta
Pavarësisht suksesit në Dhomën e Deputetëve, mbetet e paqartë se si do të ndikojë realisht ligji i ri zgjedhor. Aktualisht, si koalicioni i Melonit ashtu edhe blloku i qendrës së majtë gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë, pak mbi 42 për qind.
Megjithatë, mbështetja për dy partnerët më të vegjël të koalicionit qeverisës po bie. Bëhet fjalë për partinë populiste të djathtë Lega të Matteo Salvinit dhe partinë konservatore Forza Italia të Antonio Tajanit.
Rezerva kushtetuese
Ekziston gjithashtu mundësia që Gjykata Kushtetuese e Italisë ta bllokojë reformën. Veçanërisht i diskutueshëm është bonusi i shumicës.
Ekspertët e së drejtës kushtetuese theksojnë se, sipas jurisprudencës së gjykatës, nuk lejohet një shtrembërim i tepruar i raportit të votave në favor të fituesit të zgjedhjeve. Për këtë arsye, mbetet për t’u parë nëse reforma do të mbetet në fuqi apo do të përballet me pengesa juridike në muajt e ardhshëm.
Marrë nga DPA.de