Kuvendi ka vendosur që më 4 shtator të zhvillojë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku pritet të shqyrtohet çështja e deputetit socialist Vullnet Sina, pas një mocioni të paraqitur nga opozita.
Sipas pretendimeve të ngritura nga deputetët e Partisë Demokratike, Vullnet Sinaj, deputet i Vlorës, dyshohet se ka përfituar rreth 3.689.814 lekë nga fondet publike nëpërmjet nëntë kompanive të tij, gjë që sipas tyre përbën një shkelje të nenit 70, pika 3, të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila ndalon deputetët të përfitojnë nga burimet financiare të shtetit.
Mbledhja do të drejtohet nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila do të udhëheqë diskutimet mbi vendimin nëse duhet t’i hiqet apo jo mandati deputetit Sinaj. Ky debat pritet të jetë një nga çështjet më të diskutuara në Kuvend, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e akuzave dhe ndikimin që mund të ketë vendimi përfundimtar.
‘Në vijim të mocionit të dorëzuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PD për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e mërkurë, datë 04.09.2024, ora 11:00, me këtë rend dite: “Shqyrtimi i mocionit të 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.”