Gazetari dhe moderatori i njohur, Blendi Fevziu ka treguar se kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj nuk kanë komunikim me Albin Kurtin. Sipas tij, kryeministri i Kosovës nuk ju ngre telefonin asnjërit nga dy drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar.
“E pyeta kryeministrin, pyeta presidentin kur ndodhi historia e Banjskës: a keni folur me Kurtin? Të dy më thanë ‘nuk na ngreh telefonin…’ Që nga momenti që Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kontakt, lërë kontakt zyrtar, kështu miqësor, buzëqeshje, dorë të hedhur në qafë, Rama që i kap sytë nga prapa.
Këto janë show mediatik. Ne po flasim për kontakte reale. Unë jam dëshmitar se si ka funksionuar raporti mes Shqipërisë dhe Kosovës, edhe në momente të tensionuara”, është shprehur gazetari për median “Nacionale” në Kosovë.
Më tej, në intervistën e shkurtër Blendi Fevziu ka këmbëngulur dhe në deklarimin që e ka bërë më herët, duke u shprehur se “Shpeshherë ju them që raportet Shqipëri – Kosovë janë më të këqijat që kanë pasur ndonjëherë në historinë që mbaj mend unë. S’ka, janë inekzistente.”
Disa herë është raportuar në media, nga analistë të ndryshme dhe personazhe publike të afërt me dy kryeministrat, të cilët kanë deklaruar se kohë pas kohe Rama dhe Kurti kanë pasur marrëdhënie të tensionuara. Ndërkohë, vetë ata kanë mohuar të tilla deklarime.