Në zgjedhjet parlamentare, kandidati kryesor i partisë në pushtet SNS, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar humbjen. Lista opozitare e lëvizjes studentore i ka fituar zgjedhjet, tha ai në një fjalim para shtabit të tij elektoral në Beograd, duke iu referuar një projeksioni të rezultateve. Ai shtoi se kjo listë ka siguruar 140 nga 250 mandatet në parlament. Kjo do të përbënte shumicën absolute të nevojshme për të formuar e vetme qeverinë.
Në rrugët e kryeqytetit, Beogradit, shpërthyen festimet. Kolona makinash përshkuan qytetin duke u rënë borive. Para një qendre tregtare në qendër të Beogradit festonin të entuziazmuar kryesisht të rinj.
Pak pas fjalimit të Vuçiçit, organizata për monitorimin e zgjedhjeve CRTA publikoi rezultatet e projeksionit të saj. Sipas tyre, lista studentore ka marrë 52,5 për qind të votave, tha drejtori i programit, Rasa Nedeljkov, në një konferencë për shtyp. Sipas projeksionit, SNS mori 39,4 për qind. Asnjë parti tjetër nuk arriti të hynte në parlament. Pragu zgjedhor në Serbi është tre për qind, ndërsa për partitë e pakicave etnike është një për qind.
Një referendum për Vuçiçin
Zgjedhjet e së dielës (25.10.2026) u karakterizuan nga një pjesëmarrje rekord. Sipas CRTA-s, në orën 19:00, një orë para mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja ishte 67,8 për qind. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në dhjetor 2023, pjesëmarrja përfundimtare kishte qenë 58,8 për qind.
Votimi u konsiderua gjerësisht si një referendum për mënyrën se si Vuçiçe ka drejtuar vendin. 56-vjeçari ka përcaktuar politikën e vendit, në funksione të ndryshme, që nga viti 2012. Kritikët e akuzojnë atë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Në fund të shtatorit ai dha dorëheqjen nga posti i presidentit të vendit, me synimin që, në rast të një fitoreje të partisë së tij, të bëhej kryeministër.
Njeriun e fortë të Serbisë e sfidoi lista e lëvizjes së re studentore. Ajo lindi nga protestat pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në qytetin Novi Sad, në veri të Serbisë, në nëntor 2024. Nga shembja humbën jetën 16 persona. Kritikët ia atribuuan tragjedinë korrupsionit dhe neglizhencës së qeverisë së Vuçiçit. Protestat e mëvonshme të studentëve mobilizuan shtresa të gjera të popullsisë serbe dhe zgjuan tek ato dëshirën për ndryshim.
Personalitete të respektuara në listën studentore
Në listën studentore pothuajse nuk ka studentë. Ajo është hartuar nga një lëvizje që nuk ka organe drejtuese dhe i merr vendimet në kuvende me demokraci të drejtpërdrejtë. Lista përbëhet kryesisht nga pedagogë universitetesh, mjekë dhe artistë. Ajo kryesohet nga kardiologu i njohur Ilija Srdanovic nga Novi Sadi. Programi i saj i shkurtër prej njëmbëdhjetë pikash premton rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.
Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të tensionuar. CRTA raportoi se në mbarë vendin kishte shumë indicie për blerje votash dhe frikësim të votuesve. Në 48 për qind të qendrave të votimit ishin fotografuar fletët e votimit. Mediat raportuan gjithashtu për sulme të dhunshme ndaj vëzhguesve të zgjedhjeve dhe gazetarëve.
Serbia zhvillon negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Vitet e fundit nuk është shënuar asnjë përparim në këtë proces. Sipas vëzhguesve, një nga arsyet është dobësimi i demokracisë nën drejtimin e Vuçiçit.
Marrë nga Deutsche Welle