“Bluzat e Bardha për Ndryshim”, një grupim mjekësh, infermierësh dhe profesionistësh të tjerë shëndetësorë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, iniciuan një apel drejtuar deputetëve të Bundestagut gjerman dhe eurodeputetëve gjermanë për situatën në Shqipëri.
Apeli u mbështet nga mbi 350 mjekë, infermierë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë shqiptarë në Gjermani. Në të kërkohet një qëndrim publik në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore, hetim i pavarur dhe transparent për përdorimin joproporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës, garanci që ambulancat dhe personeli mjeksor të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve, si dhe përfshirja e kësaj çështjeje në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Sot nismëtarët e apelit morrën përgjigjen e Z. David McAllister, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian. McAllister e cilëson situatën në Shqipëri “arsye për shqetësim të madh” dhe bën të ditur se i është drejtuar ambasadores së BE në Tiranë për një vlerësim të situatës. Ai njofton gjithashtu se Shqipëria do të jetë në rendin e ditës së Komisionit më 4 nëntor, ndërsa brenda nëntorit planifikohet një debat i veçantë për situatën në vend. Më poshtë, përgjigja e plotë e Z. McAllister.
Përgjigjia e kryetarit të Komisionit për Punët e Jashtme të PE, Z. David McAllister:
E nderuara znj. Dr. Spiro,
Ju falënderoj për e-mailin tuaj të datës 20 tetor 2026, të cilin e kam lexuar me vëmendje.Situata aktuale në Shqipëri përbën vërtet një shkak të madh shqetësimi. Në këtë kontekst, duhen theksuar përplasjet gjithnjë e më të dhunshme midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë, raportimet për dhunë policore dhe përdorimin e forcave speciale, si dhe paralajmërimet për kufizime të mundshme të lirisë së tubimit.
Unë tashmë i jam drejtuar ambasadores së BE-së në Shqipëri, duke i kërkuar një vlerësim të situatës dhe një pasqyrë të masave që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë deri më tani.
Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në Komisionin për Punët e Jashtme, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe është në mënyrë të rregullt objekt diskutimesh, gjatë të cilave deputetët shqyrtojnë në mënyrë kritike përparimin e vendit në procesin e zgjerimit të BE-së.Më 4 nëntor, Shqipëria do të jetë në rendin e ditës së Komisionit, në kuadër të prezantimit të raporteve vjetore të progresit për vendet kandidate.
Përveç kësaj, në Komision po planifikojmë që situatën në Shqipëri ta vendosim në rendin e ditës edhe gjatë muajit nëntor, si një pikë të veçantë, me qëllim që të mundësohet një debat i hollësishëm dhe i zgjeruar.
Komisioni për Punët e Jashtme do të vazhdojë ta ndjekë nga afër dhe në mënyrë kritike situatën në terren.
Me përshëndetjet më të përzemërta për në Braunschëeig,
David McAllister
Marrë nga Syri.net