Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të martën përfundimin e hetimeve ndaj një grupi të strukturuar kriminal në trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe të marijuanës nga Shqipëria drejt Gjermanisë e Turqisë. SPAK bëri me dije se ka dërguar për gjykim çështjen me 17 të pandehur, ndërkohë që janë ndarë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme.
Sipas hetimit, drejtuesit dhe financuesit e këtij grupi kriminal janë Emiljan Burba, Ervis Shuli dhe Rexhep Rraja- djali i ish-deputetit socialist, Rahman Rraja.
Të pandehurit e tjerë janë Indrit Dokle, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Bujar Sefa (alias Xaka, alias Lala), Marvin Bushati, Jani Çavo, Sokol Qaja, Aldo Gjini (alias Iamandi), Bledar (alias Blerti) Cafi, Zamir Aliaj (alias Çoku), Islam Sefa (alias Xaka), Hajdar Sefa (alias Xaka, alias Lala), Vidjan Baroka dhe Agim Nina (alias Lorenc Selmani).
Sipas SPAK, të pandehurit kanë komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC”, prej nga janë siguruar prova për trafikun e narkotikëve. Ata akuzohet për trafikimin e 1722 kg marijuanë nga Shqipëria drejt Malit të Zi në nëntor të vitit 2020, ku dhe është sekuestruar lënda narkotike që ka pasur si destinacion përfundimtar Gjermaninë.
Po në atë periudhë, në Holandë është sekuestruar një sasi prej 475 kg kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen. Në janar të vitit 2021, janë sekuestruar në Turqi 236 kg marijuanë, e dërguar nga Shqipëria.
Hetimet janë kryer në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë gjermane, franceze, holandeze, belge, malazeze, turke, ekuadoriane, Eurojust dhe Europol.
SPAK bënë me dije se për të mundësuar identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve, si dhe vijimin e hetimit pasuror të tyre, është ndarë hetimi.
Marrë nga Reporter.al