Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në futbollin brazilian, ku arbitri ka nxjerrë plot 53 kartonë të kuq në një ndeshje të kampionatit të të rinjve, pas një përleshjeje masive mes lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit të dy skuadrave.
Incidenti ndodhi në gjysmëfinalen e parë të Kampionatit të Minas Gerais për grupmoshën U-20, mes Uberlandias dhe Mamores. Pas incidenteve, arbitri përjashtoi 43 futbollistë, tetë pjesëtarë të stafit teknik dhe dy drejtues të klubit Uberlandia.
Sipas raportit të arbitrit, përplasjet nisën në pjesën e dytë, pasi futbollisti i Mamores, Davi, provokoi stolin kundërshtar gjatë festimit të golit që e çoi skuadrën e tij në avantazh 3-1. Trajneri i portierëve të Uberlandias, Paulo Sergio Dias dos Santos, hyri në fushë për t’u përballur me lojtarin, duke shkaktuar përleshjen masive. Tre futbollistë ishin ndëshkuar me karton të kuq edhe më herët gjatë ndeshjes.
Për shkak të përmasave të incidentit, në stadiumin Parque do Sabia u thirr edhe policia ushtarake. Sipas raportimit të medias braziliane “O Tempo”, në stadium u konstatuan dëme të shumta, përfshirë 14 dyer të thyera, dëmtime në ambientet e dusheve, xhama të thyer, si dhe stola, tavolina e karrige të shkatërruara.
Ndeshja u ndërpre për rreth 40 minuta, përpara se arbitri Fernando Patrick Drosghic Modesto të vendoste ta braktiste përfundimisht takimin, për shkak të mungesës së sigurisë. Në raportin e tij, ai shpjegoi se për shkak të kaosit ishte e pamundur të nxirrte kartonët e kuq dhe të përfundonte procedurat zyrtare të ndeshjes.
Pas incidentit, klubi Uberlandia njoftoi se do të tërhiqet nga ndeshja e kthimit e gjysmëfinales. Vendimi u mor pasi Mamore ka në dispozicion vetëm shtatë futbollistë, si pasojë e përjashtimeve masive. Klubi e cilësoi këtë veprim si një “gjest të lojës së ndershme”, duke i hapur rrugën Mamores për të kaluar në finale, ndërsa vetë Uberlandia do të përqendrohet te ndeshja për vendin e tretë.
Klubi shtoi se ka marrë edhe masa disiplinore të brendshme ndaj personave të përfshirë në incident, duke theksuar se zhvillimi sportiv duhet të shoqërohet edhe me edukimin dhe përgjegjësinë personale.
Marrë nga Euronews.al