KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Tarifat e larta bankare mbajnë peng luftën ndaj ‘ekonomisë së cash-it’
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Tarifat e larta bankare mbajnë peng luftën ndaj ‘ekonomisë së cash-it’
AnalizeFinanceKryesoreOpinionSocialeZhvillim

Tarifat e larta bankare mbajnë peng luftën ndaj ‘ekonomisë së cash-it’

Përditësimi i fundit: 6 Nëntor, 2026 10:11 am
56 Shikime
Share
16 Min. Leximi
SHARE

Qeveria vendosi detyrime ligjore për bizneset për të ofruar shërbimet digjitale të pagesave me kartë ose online, por ligji ka mbetur gjerësisht i pazbatuar për shkak të tarifave disafish më të larta se mesatarja europiane që ofrojnë deri më tani bankat në Shqipëri.

Në zonën e njohur si 9-katëshet, në zemër të Tiranës, një radhë e gjatë njerëzish qëndron përpara një dyqani akulloresh, mes të cilëve edhe turistë të huaj.

Një kupë akullore kushton 100 lekë, por të huajt e kanë të vështirë ta blejnë atë, pasi në portofolet e tyre mbajnë përgjithësisht karta dhe jo para cash.

Nisur nga ky presion, tregtarët e vegjël si ky biznes akulloresh janë detyruar të marrin shërbimin e pagesës me kartë, POS, një akronim i huazuar nga anglishtja për pikat e shitjes [Post of Sale].

Por nëse paguhet me kartë, çmimi i akullores rritet automatikisht 25 për qind më shumë nga sa do të blihej me para në dorë.

“Nuk marrim ne fitim më shumë, është tarifa që vendos banka që na ka ofruar shërbimin e pagesës me kartë,” ankohet shitësja. “Për çdo shitje faturon 25 lekë dhe nuk e di pastaj sa mbajnë nga totali i xhiros, 2 apo 3 për qind,” shtoi ajo.

Inovacioni në teknologjinë digjitale ka sjellë një transformim rrënjësor në sistemin global të pagesave, por ky ndryshim në Shqipëri vazhdon t’u kushtojë shtrenjtë bizneseve dhe konsumatorëve.

Për të kufizuar qarkullimin e parave në cash, qeveria shqiptare bëri ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të cilat detyrojnë bizneset që të pajisen me terminale POS/ POI për të mundësuar pagesat me kartë ose online.

Për bizneset që ofrojnë shërbime akomoduese në turizëm, afati i pajisjes me terminale POS/POI ishte 30 maji 2026, ndërsa bizneset e tjera kanë afat deri në fund të vitit.

Megjithatë, shumë prej bizneseve ankohen se e kanë të pamundur që ta zbatojnë këtë detyrim për shkak të tarifat bankare, të cilat kanë qenë deri më tani disafish më të larta sesa mesatarja e vendeve europiane.

Transporti publik është njëri prej këtyre sektorëve, që ndonëse ka kërkesë të lartë për pagesa me kartë, e ka pasur të pamundur që ta aplikojë këtë teknologji.

Kreu i Shoqatës së Transportit Publik, Kostandin Foni i tha BIRN se kishin kërkuar oferta nga bankat e nivelit të dytë dhe në bazë të përgjigjeve, kishin bërë një mesatarizim të kostove. Dilema ishte se kush do t’i paguante këto kosto; çmimi i biletës që kërkon miratim nga Këshilli Bashkiak apo operatorët e transportit publik?

“Për t’u mbajtur nga ne është e pamundur, sepse bileta kushton 40 lekë, ndërsa vetëm vlera fikse që mbanin bankat për transaksion ishte 30 lekë, pa llogaritur përqindjen e xhiros dhe çmimin për vendosjen e terminalit dhe mirëmbajtjen e tij,” tha Foni, duke pretenduar se bankat si ndërmjetës fitonin shumë më tepër sesa ofruesit e shërbimit.

Në përgjigje të presionit për rritjen e çmimit të biletës së urbanit, Ministria e Financave pezulloi zbatimin e ligjit për sektorin e transportit publik, me argumentin se nuk bëjnë pjesë te bizneset që kanë faturë të fiskalizuar.

Por kjo, sipas Fonit, nuk është një zgjidhje.

“Ne si operatorë kemi kërkuar prej vitesh biletimin elektronik, dhe në momentin që bëhet kjo, pagesat bëhen me kartë, online ose cash. Nëse do të shkojmë në Bashkimin Europian, nuk mund të futemi me një biletë të kohës së komunizmit, që mund të prodhohet kudo dhe nuk ka asnjë element sigurie, as targën e mjetit, as kompaninë, as linjën,” shtoi ai.

Tarifa të larta për sistemet POS

Shqipëria ndodhet fizikisht në hartën e Europës dhe shumë prej bankave që operojnë në tregun shqiptar janë degë të disa prej bankave më të mëdha europiane. Megjithatë, inovacioni teknologjik në sistemin e pagesave ka qenë i ngadaltë dhe i prapambetur, të paktën deri në vitin 2020, kur Kuvendi miratoi “Ligjin për Shërbimet e Pagesave”.

Shumë biznese që kërkonin ofrimin e shërbimit të pagesave online ose me kartë, kufizoheshin në bazë të xhiros vjetore, e cila duhej të ishte mbi 200 mijë euro në vit, ndërsa çmimi për pajisjen me terminale pagese dhe mirëmbajtjen e tyre, duke përfshirë dhe tarifën që aplikon banka, ishte dy deri në tre herë më i lartë se në vendet fqinje.

Ligji për Shërbimet e Pagesave i hapi rrugë licensimit të ndërmjetësve financiarë për të ofruar pagesat online, çka rriti edhe vetë interesin e bankave që të sillnin këto shërbime. Pavarësisht kësaj, përdorimi i parasë “cash” në ekonomi vijoi të rritej, ndërsa komisionet dhe tarifat për instalimin e POS-eve mbeten të larta.

Aktualisht në Shqipëri operojnë 12 banka tregtare, nga të cilat tre prej tyre nuk e ofrojnë shërbimin e pagesave online ose me kartë.

Sipas të dhënave të përpunuara nga BIRN për tarifat që aplikojnë nëntë bankat, komisioni mesatar për ofrimin e shërbimeve POS është 3%, ku më i ulëti është 1.9% e vlerës së transaksionit dhe më i larti 4%.

Në varësi të bankave, shërbimi përfshin dhe një pagesë që varion nga 0 deri në 5 mijë lekë për instalimin e pajisjes dhe 1 mijë lekë në muaj për mirëmbajtjen e saj.

Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, thotë se tarifat e larta bankare që variojnë nga 1.9 për qind për hotelet me xhiro të madhe dhe deri në 3.5 për qind për njësitë e thjeshta të shërbimit, i shtyjnë bizneset që ta refuzojnë sistemin POS.

“Një biznesi të vogël që ka një normë fitimi jo më të lartë se 10%, banka i merr 30 deri 35% të fitimit. Kjo është arsyeja që nuk e përdorin,” tha Topuzi, duke shtuar se mesatarja e vendeve europiane për tarifën e sistemeve POS është 0.3 për qind.

Ndryshe nga përfaqësuesit e biznesit, Shoqata e Bankave pretendon se tarifat reflektojnë kostot e larta të investimit për terminalet e pagesave online ose me kartë.

“Është çështje biznesi; ka banka që kanë tregun më të madh dhe investojnë më shumë dhe mund ta mbulojnë koston e shërbimit të POS, ka banka të tjera që kërkohet investim i madh dhe kanë kosto më të lartë, atëherë do të kërkojnë dhe të ardhura pak më shumë,” thotë Spiro Brumbulli, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave.

Sipas Brumbullit, bankat nuk kanë ndonjë fitim nga ky shërbim. Megjithatë, të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë të kundërtën.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, pagesat përmes terminaleve POS kapën një vlerë prej 248 miliardë lekësh, ose 2.73 miliardë euro me kursin e sotëm. Nëse për këto pagesa është mbajtur tarifa më e ulët prej 1.9% që ofrohet në treg dhe nëse asaj i zbritet përqindja 0.14 që mbajnë operatorët e ofrimit të infrastrukturës, VISA dhe Mastercard, rezulton se të ardhurat e nëntë bankave nga përdorimi i sistemeve POS gjatë vitit 2025 kanë qenë 47.7 milionë euro.

Sipas bilanceve të nëntë bankave të marra në analizë, të ardhurat neto nga komisionet bankare u rritën nga 129 milionë euro në 2024 në 134 milionë euro në fund të vitit 2025. Bankat që kanë të ardhurat më të larta nga shërbimet janë ato që kanë dhe tregun më të madh: Raiffeisen, e ndjekur nga BKT, Credins dhe Intesa San Paolo.

Komisionet bankare përfshijnë jo vetëm tarifat e përdorimit të terminaleve POS, por dhe shërbime të ndryshme të depozitimit, tërheqjes dhe transaksioneve që kryejnë klientët në sportel ose ATM. Fitimi nga komisionet e shërbimit përbën 1/3 e fitimit të bankave gjatë vitit të kaluar, kur aktiviteti kryesor i tyre është fitimi përmes kredidhënies.

Përfaqësuesit e bizneseve i thanë BIRN se kishin kërkuar prej kohësh pranë Këshillit të Investimeve që tarifat e shërbimit që mbajnë bankat për sistemin POS të reduktoheshin në nivelin e vendeve europiane.

“Kjo do e bënte më të thjeshtë përdorimin, sepse interesi është minimal. 0.3 për qind në një xhiro 100 euro i jep bankës 30 cent dhe është kosto e papërfillshme fare. Kjo ndihmon sidomos me të huajt, sepse ata nuk përdorin paranë “cash,” tha Topuzi për BIRN.

Pas kërkesave të shumta, Banka e Shqipërisë miratoi më 3 nëntor rregulloren “Për Tarifat e Shkëmbimit për Transaksionet e Pagesave të Bazuara në Kartë”, e cila kufizon të gjitha bankat që të mbajnë jo më shumë se 0.2% të vlerës së transaksionit për kartat e debitit dhe 0.3% për ato të kreditit në rastet e pagesave online ose me POS.

Ky kufizim duket se është pranuar edhe nga sektori bankar.

“Është një standard që e ka BE dhe ne drejt BE-së po shkojmë,” e komentoi Brumbulli rregulloren e re të Bankës së Shqipërisë.

“Bankave iu bëhet dëm në këtë rast, por duhet të sakrifikohesh diku dhe për hir të zhvillimit të tregut, dhe për të ofruar produkte të tjera që mund të kompensosh këtë lloj humbje,” shtoi ai.

Pagesat me kartë në shërbimet publike

Detyrimi për të dhënë opsionin e pagesës me kartë ose online ka përfshirë edhe sektorin e shërbimeve publike, por jo të gjitha kompanitë e kanë zbatuar atë. Ndërkohë, nuk është e qartë nëse kostot e tarifave bankare i paguajnë kompanitë publike apo qytetarët.

Posta Shqiptare i tha BIRN se afati për zbatimin e detyrimeve ligjore për pagesat me kartë ose online është dhjetori i këtij viti dhe se po ndjek procedurën “për implementimin operacional dhe teknik të terminaleve POS”. Ligji për Procedurat Tatimore detyron kompanitë publike që këtë shërbim ta ofronin nga 1 qershori i këtij viti.

Posta nuk dha informacion nëse ka zhvilluar garë për përzgjedhjen e operatorit bankar që do të ofrojë ndërmjetësimin, por u mjaftua duke thënë se “parashikohet që kostot që lidhen me përdorimin e terminaleve POS dhe kryerjen e pagesave nëpërmjet tyre të përballohen nga tregtari dhe ofruesi i shërbimit”.

Ndërkohë, lompania e shpërndarjes së energjisë elektrike, OSHEE ka nisur ofrimin e pagesave me kartë. Në një përgjigje për BIRN, OSHEE tha se banka ndërmjetëse është përzgjedhur përmes një procesi për shprehje interesi dhe kontrata është lidhur me ofertën më të mirë, por pa dhënë emrin e bankës dhe përqindjen që OSHEE i paguan asaj.

“Komisionet që aplikohen për pagesat e realizuara nëpërmjet terminaleve POS mbulohen plotësisht nga ne,” deklaroi OSHEE.

Edhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka filluar ofrimin e shërbimit të pagesave elektronike, përmes sistemeve të Raiffesisen Bank, së cilës i paguajnë 1% të vlerës së transaksionit, një kosto që nuk i ngarkohet konsumatorit. Gjithsesi, ofrimi i pagesave POS nuk është zbatuar në të gjitha kompanitë e ujësjellësve që janë në pronësi të bashkive të tjera.

Pavarësisht kufizimeve, paraja në cash rritet  

Nismat ligjore që kufizojnë përdorimin e parasë “cash” me qëllim reduktimin e mundësive për pastrimin e parave kanë qenë të shpeshta. Transaksionet biznes me biznes kufizohen deri në vlerën 100 mijë lekë për t’u kryer në “cash” dhe çdo derdhje mbi këtë shumë duhet bërë përmes bankës. Një vit më parë, parlamenti përfshiu edhe kufizimin e pagesave mes individëve dhe bizneseve, ku çdo pagesë mbi vlerën 500 mijë lekë duhet kryer përmes bankës.

Ndër vite, kushtëzimet për deklarimin e burimit të depozitimit të parasë “cash” në banka kanë ndryshuar, duke u ulur deri në vlerën 1 milion lekë ose 10 mijë euro. Rregullat kanë vështirësuar veprimtarinë e qytetarëve, ku përveç ndarjes së privatësisë së shpenzimeve me bankat dhe autoritetet publike, ata janë ngarkuar me procedura, plotësim formularësh, radhë në banka dhe kosto për transaksione dhe transferta.

Por pavarësisht këtyre nismave, paraja “cash” në ekonomi ka shënuar rritje.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë kanaleve bankare ishte 5.88 miliardë euro në shtator të këtij viti, kundrejt vlerës 5.08 miliardë që ishte shtatorin e vitit të kaluar. Në harkun kohor të një dekade, vlera e parasë jashtë bankave është rritur me 226%, ndërsa vlerësohet se përbën 72% të bazës monetare.

“Cash-i në ekonomi është i lartë, ne vazhdojmë të bazohemi në këtë lloj ekonomie,” thotë Brumbulli nga Shoqata e Bankave.

“Është e vështirë të shkojmë plotësisht në shërbime digjitale bankare, sepse ka breza që nuk janë komodë me shërbimet online, dhe derisa të ketë një familjarizim me këto shërbime, do të vazhdojmë të kemi sistem hibrid dhe të përzier,” shtoi ai.

Informaliteti mbetet gjithashtu një problem për sektorin e hotelerisë në Shqipëri, ku vetëm 22% e kapacitetit të akomodimit ofrohet nga hotelet dhe pjesa tjetër nga apartamentet dhe vilat.

“Ne kemi insistuar që përmes pagesave me kartë të mund të formalizohet tregu… por tani duhet të presim se si do të zbatohet dhe çfarë do të ndodhë,” përfundoi Topuzi.

 

Marrë nga BIRN

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

PD ankimon në Gjykatën Kushtetuese tre aktet e qeverisë për protestat

Shqipëria u kthye në armë politike në zgjedhjet amerikane

Kongresi i demokratëve premton se do të nisë hetime për bizneset e familjes Trump

Ardit Gjebrea në SPAK, për hetimet ndaj Erion Veliajt

Nga Biden te Erdogani, 753 dhuratat e pranuara nga Edi Rama në katër mandate

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Tirana merr 80% të rritjes ekonomike, qarqet e tjera mbeten pas
Artikulli tjetër Shqipëria korridor i trafikimit të 500 emigrantëve! Çmontohet rrjeti në Greqi

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Monika Kryemadhi kërkon Edi Ramën si dëshmitar në gjyq
Fokus Koment Kryesore Politike Zhvillim 6 Nëntor, 2026
Si po “sabotohet” financimi i ekonomisë shqiptare?
Analize Ekonomi Finance Kryesore Opinion Zhvillim 6 Nëntor, 2026
Gjykata Kushtetuese merr në punë ekspertët e ONM-së, pasi u mbaroi mandati
Analize Fokus Kryesore Opinion Politike Zhvillim 6 Nëntor, 2026
Qeveria kompeson transportin publik 50 lekë/litër karburanti, për 5 muaj
Aktuale Finance Kryesore Sociale 6 Nëntor, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.