Një rrjet i gjerë i trafikimit të emigrantëve drejt Greqisë përmes Shqipërisë është shkatërruar gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia greke, në bashkëpunim me Europol.
Në kuadër të operacionit të zhvilluar në Selanik dhe Thesproti, janë arrestuar 10 persona, ndërsa hetimet kanë zbuluar 41 raste të trafikimit të paligjshëm të më shumë se 500 emigrantëve, kryesisht nga Nepali, Jemeni dhe Kina.
Sipas autoriteteve greke, ky grup e ka nisur aktivitetin që në qershor të vitit 2025, duke gjeneruar të ardhura prej të paktën 750 mijë eurosh.
Sipas raportimeve në media greke, rrjeti kishte një strukturë të mirëorganizuar, me drejtues dhe koordinatorë në Greqi dhe jashtë saj. Në Thesproti funksiononte një mekanizëm mbështetës që siguronte strehim, ushqim, karta SIM dhe transport për emigrantët.
Emigrantët kalonin kufirin në këmbë, përmes shtigjeve të izoluara malore, dyshohet nga Shqipëria drejt Greqisë siç duket edhe ne pamjet që ka siguruar policia nëpërmjet dronëve me kamera. Më pas strehoheshin përkohësisht në banesa ose tenda të improvizuara, deri në organizimin e transportit drejt destinacioneve të tjera.
Emigrantët dërgoheshin kryesisht me autobusë ndërqytetas drejt Athinës dhe Patrës. Në disa raste, organizohej edhe transferimi i tyre jashtë Greqisë.
Marrë nga Ta Nea