Efektivët e Tiranës kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të grabitjes së bankës të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur paraditen e 2 nëntorit, në zonën e Komunës së Parisit. Burime për mediat bëjnë me dije se blutë kanë arrestuar pranë rrugës së Kosovarëve shtetasin Robert Duka, 50 vjeç, nga Vlora.
Paraprakisht raportohet se ,50-vjeçari është personi që dyshohet se kreu grabitjen duke kërcënuar me armë stafin e bankës dhe më pas u largua me monopatinë.
Siç kemi raportuar dhe më parë, 60 mijë euro thuhet të ketë qenë shuma që është grabitur paraditen e së hënës në filialin e Raiffeisen Bank, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Autorit të maskuar dhe të armatosur iu deshën vetëm tre minuta për të marrë paratë nga arka dhe për t’u larguar nga banka me një monopatinë. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga hetuesit, dyshohet se autori e njihte mirë planimetrinë dhe funksionimin e bankës.
Ndërsa ai dyshohet të jetë autor i një tjetër grabitjeje banke, të ndodhur disa muaj më parë, po në zonën e Komunës së Parisit. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve.
Marrë nga Newsbomb.al