Kuqezinjtë sigurojnë vendin e parë në grupin C1 dhe rikthimin në Ligën B, ndërsa në Ligën A dhe B gara për çerekfinalet, ngjitjen dhe mbijetesën mbetet e hapur. Shorti i fazës eliminatore zhvillohet më 20 nëntor.
Edhe Finlanda e mbylli me fitore, duke mposhtur San Marinon 7-2, por kjo nuk ndryshoi asgjë për sa i përket objektivit të Shqipërisë. Bjellorusia mbetet në vendin e dytë dhe do të ketë mundësinë të luajë për ngjitjen përmes fazës së play-off-it, sipas pozicionit përfundimtar dhe skemës së kompeticionit.
Liga A, dy përballje të forta dhe ndryshime në renditje
Një nga rezultatet më të rëndësishme të mbrëmjes erdhi nga Belgjika, që mposhti Italinë me rezultatin 4-1. Një fitore bindëse, e cila i jep Belgjikës një pozicion të fortë në garën për çerekfinalet. Franca gjithashtu e mbylli me fitore, duke mundur Turqinë 2-1. Në këtë mënyrë, grupi A1 përfundon me Francën dhe Belgjikën në dy pozicionet e para, ndërsa Italia mbetet jashtë dy vendeve që sigurojnë çerekfinalet. Për italianët, disfata në ndeshjen vendimtare është një goditje e rëndësishme, sidomos pas fitores 3-1 ndaj Francës në xhiron e kaluar.
Spektakël në duelin mes Spanjës dhe Anglisë, ku triumfuan miqtë me rezultatin 3-2. Një fitore që i jep Anglisë kreun e grupit, pas një përballjeje ku të dyja skuadrat konfirmuan se janë ndër pretendente kryesore për trofeun. Në takimin tjetër, Kroacia mposhti Çekinë 2-1, duke e mbyllur grupin me një fitore, por pa arritur të ndryshojë fatin e saj në renditje. Spanja dhe Anglia përfundojnë me nga 15 pikë, ndërsa Anglia merr vendin e parë falë kritereve të renditjes në rast barazimi.
Në grupin A2, Holanda ka bërë një hap shumë të rëndësishëm pas fitores së jashtëzakonshme 7-0 ndaj Greqisë. Megjithatë, vendimi përfundimtar për kreun dhe çerekfinalistin tjetër do të vijë nga ndeshja Gjermani–Holandë, që luhet më 16 nëntor.
Ndërkohë, në grupin A4, gara është ende e hapur. Portugalia pësoi një humbje të rëndë 1-4 ndaj Danimarkës, duke komplikuar pozitat e saj, ndërsa Norvegjia dhe Danimarka mbeten në garë për pozicionet përfundimtare. Ndeshjet e fundit të këtij grupi luhen më 17 nëntor.
Marrë nga SuperSport.al