Ronaldinho ka treguar se klasi nuk njeh moshë. Legjenda braziliane është rikthyer në futbollin profesionist pas 11 vitesh, duke zbritur në fushë me fanellën e Ravenna-s në kategorinë e tretë italiane, Serie C. Në moshën 46-vjeçare, ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit ka dhuruar momente të bukura dhe ka qenë protagonist në fitoren 2-0 ndaj Forli-t.
Ronaldinho u aktivizua si titullar dhe ishte pjesë e aksionit që solli golin e parë të ndeshjes. Pas një pasimi të shpejtë të brazilianit, topi përfundoi te Giuli Donati, i cili realizoi një gol të bukur për të kaluar Ravenna-n në avantazh.
Edhe pse në pjesën e parë nuk pati shumë lëvizshmëri, sa herë që kishte topin në këmbë, braziliani tregonte se cilësia teknike mbetet ende një nga armët e tij më të forta. Ai mori përsipër edhe ekzekutimin e goditjeve standarde dhe ishte shumë pranë një asisti direkt nga këndi, por goditja me kokë pas krosimit të tij të saktë u ndal nga traversa.
Paraqitja e fituesit të Topit të Artë në vitin 2005 ngjalli entuziazëm te tifozët, të cilët vlerësuan aftësitë e tij pavarësisht moshës. Në rrjetet sociale pati komente të shumta, ku spikatën shprehje si “Klasi është i përjetshëm” dhe “Ronaldinho e ka ende magjinë”.
Aventura e tij zgjati vetëm 45 minuta, pasi u zëvendësua në pushimin mes pjesëve. Gjatë kësaj kohe, braziliani realizoi me sukses 81 për qind të pasimeve dhe regjistroi katër pasime në zonën sulmuese të fushës.
Pas ndeshjes, Ronaldinho la të hapur mundësinë për t’u rikthyer sërish në fushë, nëse klubi do të ketë nevojë për të.
Marrë nga Syri.net