SPAK ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe të pandehurve të tjerë. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët, ku ishte i shoqëruar nga dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur së bashku me 25 persona fizikë dhe dy kompani. Ndaj Ballukut rëndojnë pesë akuza për 15 episode, konkretisht “Shkelje e barazisë në tendera” në 9 raste, “Korrupsion pasiv të funksionarëve publikë”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë”, “Fshehje e pasurisë” në dy raste dhe “Pastrim parash” në dy raste.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga 10 procedurat e tenderimit që janë objekt hetimi, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm që kap vlerën e mbi 5 miliardë lekëve. Ndërkohë, vlera e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit arrin në 1.8 milionë euro. Në takimin me gazetarët, kreu i SPAK Klodian Braho ka shpjeguar edhe çështjen e imunitetit. Braho ka thënë se SPAK kishte detyrimin që ta zbatonte vendimin e Kuvendit.
“Pavarësisht se vendimi i Kuvendit ishte i padrejtës, SPAK thelloi hetimet dhe shtoi 3 akuza të reja ndaj Ballukut. Kjo dëshmon pavarësinë e këtij institucioni. Detyra është të zbardhë çështjen dhe të gjejë prova,”-mësohet të ketë deklaruar Braho.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) më 11 korrik. Hetimet për çështjen në ngarkim të saj u mbyllën më 28 tetor.
Marrë nga Zëri.al