Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kërkoi që seanca gjyqësore ndaj tij të shtyhej për të qenë vetë i pranishëm në gjyq, por kërkesa iu rrëzua nga GJKKO. Në një letër drejtuar Gjykatës së Posaçme, kryebashkiaku tha se problemi shëndetësor me këmbën e pengonte të udhëtonte nga Fieri dhe se prej 10 ditësh kërkonte dokumentacionin mjekësor, pasi i ishte rekomanduar një ndërhyrje kirurgjikale.
Avokati Plarent Ndreca i kërkoi gjykatës të ndërhynte që Veliajt t’i viheshin në dispozicion kartela mjekësore dhe grafitë, për t’i konsultuar me një mjek.
Dy prokurorët kundërshtuan shtyrjen. Altin Dumani tha se SPAK nuk kishte një relacion nga mjeku i burgut, ndërsa Ols Dado argumentoi se, sipas informacionit të Spitalit Memorial të Fierit, gjendja e Veliajt nuk e pengonte të vinte në gjyq.
Dado solli në vëmendje edhe kërkesën e kryebashkiakut për të qenë pjesë e Asamblesë së PS që u mbajt të shtunën.
Ndreca u përgjigj se kërkesa parashikonte edhe pjesëmarrjen me videokonferencë. Pas seancës, avokati tha se vlerësimi i gjendjes shëndetësore i takon mjekut dhe jo prokurorit.
Pas tërheqjes për vendim, trupi gjykues vlerësoi se mbrojtja nuk e kishte provuar pamundësinë e Veliajt për të ardhur. Seanca vijoi me parashtrimet e avokatëve të të pandehurve të tjerë, ndërsa mbrojtja e kryebashkiakut nuk i paraqiti sot kërkesat për pavlefshmëri provash. Avokati Plarent Ndreca tha se do të konsultohet me Veliajn dhe do t’i paraqesë ato në seancën e radhës, më 24 nëntor.
Marrë nga Report-tv.al