Një reformë ligjore e frymëzuar nga Brukseli do t’i riemërtojë fondet e kursimeve të shqiptarëve si “alternative”. Portofoli i tyre, megjithatë, mbetet po aq konservator sa edhe më parë.
Kur investitorët në Londër apo Nju Jork dëgjojnë termin “fond investimesh alternative”, mendja u shkon tek të ashtuquajturat hedge funds-e të pangopur, blerje me levë të lartë financiare apo bastet e rrezikshme të miliarderëve. Në Tiranë, duke nisur nga viti 2028, e njëjta etiketë do të përshkruajë diçka krejt tjetër: kursimet e qytetarëve të parkuara në bono thesari të qeverisë.
Ky paradoks gjuhësor është produkt i një projektligji të ri të hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili synon të përafrojë tregun shqiptar me dy shtyllat e rregullimit europian (direktivat UCITS dhe AIFMD II).
Detyra e rregullatorit nuk ka qenë e lehtë: si të futësh një treg të cekët ballkanik brenda kostumit të rreptë të tregut të përbashkët evropian, pa i trembur 44 mijë qytetarët që mbajnë rreth 65.4 miliardë lekë ose 720 milionë euro në fondet e investimeve.
Problemi është matematika e diversifikimit. Rregullat europiane për fondet “tradicionale” (UCITS) janë ndërtuar mbi parimin se vezët nuk duhen mbajtur në një shportë: një fond i tillë nuk mund të investojë më shumë se 35% të aseteve në tituj të një shteti të vetëm, dhe ato duhet të tregtohen në bursa të gjalla e likuide.
Por në Shqipëri, ku bursa e titujve është ende në hapat e parë dhe alternativat vendase të investimit janë të pakta, fondet publike mbajnë rreth 83% të parave të tyre në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare.
Kategorizim masiv
Meqenëse tregu nuk i plotëson dot rregullat e Brukselit për fondet tradicionale, ligjvënësit shqiptarë kanë zgjedhur rrugën pragmatike: t’i riklasifikojnë fondet ekzistuese si “Fonde Alternative për Investitorë Joprofesionistë”.
Ky ndryshim preket drejtpërdrejt në portofolet e tyre: fondet që investojnë kryesisht në borxhin e qeverisë shqiptare — si Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Vizion, Credins Premium, Credins Dynamic, ABI EIA, Albsig Standard apo Sigal Invest (së bashku me fondet në valutë që kanë përqendrim të lartë në tituj qeveritarë) — pritet të marrin pikërisht këtë status të ri.
Ndërkohë, vetëm një pakicë fondesh që investojnë në bursa ndërkombëtare dhe instrumente të diversifikuara evropiane — si ëVP Top Invest, ëVP Global, Albsig Selective Equity ETFs dhe Raiffeisen Solid — do të mund të ruajnë etiketën e fondeve tradicionale evropiane (UCITS).
Për investitorin e thjeshtë, megjithatë, ndryshimi është kryesisht kozmetik. Paratë do të mbeten në të njëjtat tituj shtetërorë, por ligji i ri u vë fondeve disa “frena emergjence”.
Rregulla më të forta
Mësimi i nxjerrë nga viti 2022 — kur rritja e vrullshme e normave të interesit shtyu mijëra shqiptarë të tërhiqnin paratë njëherësh, duke tkurrur tregun me mbi 40% — është shkruar qartë në nenet e projektligjit.
Çdo fond me pjesëmarrje të hapur do të detyrohet të ketë të paktën dy instrumente të administrimit të likuiditetit (si shtyrja e shlyerjeve apo rregullimi i çmimit të kuotës në ditët me fluks të pazakontë), në mënyrë që shitjet e nxituara të mos dëmtojnë investitorët që zgjedhin të qëndrojnë.
Përveç kësaj, ruhet tavani maksimal i kostove vjetore prej 3.5% (ndonëse konkurrenca i mban tarifat reale mes 1% dhe 2%), ndalohet çdo lidhje pronësie mes shoqërisë administruese dhe bankës ruajtëse, dhe u jepet qytetarëve e drejta të dalin me zero komision nëse nuk pëlqejnë etiketën e re.
Fondet do të japin kredi
Përtej mbrojtjes së kursimtarëve, ligji hap një derë të re për sistemin financiar: fondet alternative huadhënëse. Për herë të parë, fondet e dedikuara për investitorët profesionistë do të mund të japin kredi direkt për ekonominë, duke sfiduar monopolin tradicional të bankave tregtare.
Për të shmangur kthimin e tyre në “banka hije” të pakontrolluara, ligji i nënshtron ato ndaj miratimit të dyfishtë — nga AMF-ja dhe Banka e Shqipërisë — dhe i detyron të mbajnë vetë të paktën 5% të çdo kredie që u rishesin investitorëve të tjerë, duke u siguruar që fondet të mos japin kredi të këqija vetëm për t’ia kaluar rrezikun dikujt tjetër.
Në letër, reforma e bën tregun shqiptar gati për “pasaportën evropiane” ditën që vendi të anëtarësohet në BE. Në praktikë, ajo pasqyron një realitet të njohur në ekonomitë në zhvillim: rregullat mund të importohen nga Brukseli brenda një nate, por thellësia e tregut dhe besimi i investitorëve kërkojnë vite për t’u ndërtuar.
Marrë nga Kapitali.al