Mazhoranca socialiste ka humbur terren në Kuvend, duke zbritur në 81 deputetë pas largimit të Marjana Koçekut nga grupi parlamentar dhe zhvillimeve të fundit që lidhen me Elisa Spiropalin. Ky ndryshim ndikon në raportet e forcave në Parlament, pasi Partia Socialiste nuk mund të sigurojë më e vetme shumicën e cilësuar prej 84 votash, të nevojshme për miratimin e disa akteve dhe vendimeve të rëndësishme.
Në këto kushte, tre mandatet e Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi marrin një rëndësi të veçantë për mazhorancën, pasi mbështetja e tyre mund të jetë vendimtare për arritjen e pragut prej 84 votash. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, PS fitoi 83 mandate, por ky numër është reduktuar pas largimit të Marjana Koçekut dhe zhvillimeve që pasuan përplasjet e Elisa Spiropalit me kryeministrin Edi Rama.
Zbritja e mandateve të PS vjen, pasi gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama kërkoi largimin e Spiropalit dhe avokatit Plarent Ndreca nga strukturat drejtuese të partisë. Kjo kërkesë u kundërshtua nga disa figura të njohura socialiste, mes tyre Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko, të cilët kërkuan masa ndaj tyre, por jo përjashtimin. Ndërkohë, zhvillimet e fundit kanë rihapur diskutimin mbi balancat parlamentare dhe varësinë e mazhorancës nga votat e aleatëve për vendimmarrjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Marrë nga Dosja.al