“Revolucioni i Flamingove”, i cili po mbush rreth gjashtë muaj rezistencë, nuk është një betejë e izoluar. Përballja me presionin e investitorëve për të shtyrë kufijtë e mbrojtjes së zonave natyrore dhe objekteve me rëndësi historike është një sfidë që shtrihet përtej kufijve të Shqipërisë.
Nisur nga ngjarjet në Zvërnec, përvojat e aktivistëve dhe organizatave në rajon dëshmojnë se sfidat, format e rezistencës dhe arritjet e tyre kanë shumë të përbashkëta. Nga njëri shtet në tjetrin, përpjekjet për të mbrojtur trashëgiminë natyrore dhe kulturore përballen me interesa të mëdha ekonomike, presion për zhvillim dhe mungesë vazhdimësie në angazhimin e institucioneve publike për të mbrojtur atë që u përket qytetarëve.
Megjithatë, këto beteja kanë shënuar edhe fitore konkrete, duke dëshmuar se rezistenca qytetare mund të ndryshojë fatin e territoreve të kërcënuara.
Në fund të fundit, nuk bëhet fjalë vetëm për shpëtimin e flamingove, ligatinave apo monumenteve historike. Bëhet fjalë për llojin e shoqërisë në të cilën duam të jetojmë: një shoqëri ku ligjet respektohen, interesi publik ka përparësi ndaj fitimit privat dhe qytetarët kanë një zë të vërtetë në përcaktimin e së ardhmes së komuniteteve të tyre.
“Jo vetëm një çështje mjedisore, çështje e shtetit të së drejtës dhe e mbrojtjes së interesit publik”
Megjithëse njihej prej dekadash për rëndësinë e saj ekologjike, Kriporja e Ulqinit nuk gëzonte statusin zyrtar të një zone të mbrojtur. Kjo ndryshoi pas një beteje shumëvjeçare qytetare.
“Më 24 qershor 2019, Kriporja u shpall Park Natyror dhe, pak më vonë, u njoh si Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare sipas Konventës Ramsar”, tregon për Citizens, Zenepa Lika, aktiviste mjedisore dhe drejtuese ekzekutive e Shoqatës Dr. Martin Schneider-Jacoby (MSJA).
Kërcënimet u bënë serioze pas privatizimit të kripores në vitin 2005, të ndjekura nga falimentimi, përkeqësimi gradual i infrastrukturës dhe ndërprerja e prodhimit të kripës në vitin 2013. Në të njëjtën kohë, ekzistonin plane për ta shndërruar këtë ligatinë të jashtëzakonshme në një kompleks turistik luksoz.
“Kriporja nuk ka qenë kurrë thjesht një vend për shpendët. Ajo ishte pjesë e historisë sonë, identitetit tonë dhe ekonomisë lokale. Breza të tërë familjesh kanë jetuar nga prodhimi i kripës” – thekson Lika.
Në vitin 2014, përpjekjet për mbrojtjen e Kripores morën mbështetjen e ambasadoreve të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, vizita e të cilave në Ulqin ndihmoi në ndërkombëtarizimin e çështjes. Dy vjet më vonë, Lika bashkëthemeloi organizatën MSJA, e cila organizoi diskutime publike, peticione dhe aktivitete ndërgjegjësuese. Fushata ndërkombëtare “Save Salina” mblodhi mbi 100 mijë firma, ndërsa në prill 2019 aktivistët ia paraqitën kërkesat e tyre drejtpërdrejt kryeministrit malazez. Sipas Likës, presioni qytetar dhe diplomatik, së bashku me detyrimet e Malit të Zi në kuadër të Kapitullit 27 të negociatave me BE-në, ishin vendimtarë për mbrojtjen e Kripores.
Megjithatë, fitorja e vitit 2019 nuk i dha fund problemeve. Edhe gjatë vitit 2026, Kriporja u përball me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe probleme me sistemin e pompimit, jetik për qarkullimin e ujit dhe ruajtjen e habitateve të mbi 250 llojeve të shpendëve, përfshirë flamingot.
“Shpallja e një zone të mbrojtur dhe mbrojtja e saj reale janë dy gjëra shumë të ndryshme”, paralajmëron Lika, duke kërkuar restaurimin e infrastrukturës dhe rikthimin e prodhimit të kripës.
Duke ndjekur zhvillimet në Vjosë-Nartë, Lika sheh ngjashmëri me betejën e Ulqinit dhe përcjell një mesazh për aktivistët e “Revolucionit të Flamingove”:
“Trashëgimia jonë natyrore dhe kulturore nuk është një hapësirë boshe në pritje të investitorëve. Ajo u përket komuniteteve tona dhe brezave të ardhshëm. Mos pranoni kurrë që vendimet për të ardhmen tuaj janë marrë tashmë dhe se zëri juaj nuk ka rëndësi”, përmbyll ajo.
Rasti i Generalštabit, përtej zgjedhjes mes së vjetrës dhe së resë
Projekti për rizhvillimin e kompleksit të Generalštabit në Beograd shkaktoi polemika jo vetëm për shkak të planit për ndërtimin e një hoteli dhe kompleksi tregtar, por mbi të gjitha për mënyrën se si autoritetet serbe u përpoqën t’i hapnin rrugë realizimit të tij.
Generalštabi, një nga veprat më të rëndësishme të arkitekturës moderne në Serbi, gëzonte statusin e monumentit të kulturës që prej vitit 2005. Kompleksi ishte gjithashtu pjesë e një ansambli urban të mbrojtur përgjatë rrugës Knez Miloš, me vlera të veçanta historike dhe arkitekturore.
Eksperti i politikave publike dhe këshilltari pranë Institutit për Rregullimin e Energjisë së Rinovueshme dhe Mjedisit (RERI), Dragomir Ristanović, shpjegon për Citizens se autoritetet serbe hoqën mbrojtjen ligjore të monumentit për t’i hapur rrugë investimit të lidhur me Jared Kushner.
Më 14 nëntor 2024, qeveria serbe miratoi dy vendime që hoqën statusin e monumentit të kulturës dhe përjashtuan parcelat përkatëse nga ansambli i mbrojtur.
“Në rastin e Generalštabit, procesi shkoi edhe më tej, pasi legjislacioni u përdor për të eliminuar praktikisht mbrojtjen ligjore që i ishte dhënë më parë zonës si trashëgimi kulturore”, shpjegon Ristanović.
Rezistenca kundër projektit përfshiu arkitektë, ekspertë të trashëgimisë, studentë dhe qytetarë. Më 24 mars 2025, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, mijëra protestues u mblodhën përpara Generalštabit, ndërsa një grup studentësh dhe qytetarësh dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të kundërshtuar heqjen e statusit të monumentit të kulturës.
Çështja përfundoi edhe në Prokurorinë për Krimin e Organizuar, e cila ngriti akuza ndaj ministrit të Kulturës, Nikola Selaković, dhe tre zyrtarëve të tjerë, lidhur me dyshimet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre gjatë procedurave për heqjen e mbrojtjes. Në dhjetor 2025, kompania e lidhur me Jared Kushner njoftoi tërheqjen nga projekti, ndërsa më 16 nëntor 2026 autoritetet serbe konfirmuan përfundimin zyrtar të marrëveshjes. Megjithatë, mbeten të pazgjidhura pasojat ligjore të vendimeve që prekën statusin e monumentit.
Për Ristanovićin, kjo përballje ka ngjashmëri me rezistencën për mbrojtjen e Vjosë-Nartës dhe Zvërnecit.
“Shqipëria nuk ka një ishull të dytë të Sazanit apo një Zvërnec tjetër dhe nëse këto vende humbasin, ato nuk mund të zëvendësohen kurrë”, shprehet ai, duke përcjellë solidaritetin e tij me aktivistët shqiptarë.
Mavrova, kur rezistenca qytetare ndali financimin e hidrocentraleve
Në Maqedoninë e Veriut, një fushatë shtatëvjeçare e aktivistëve mjedisorë arriti të ndalonte dy projekte të mëdha hidroenergjetike në Parkun Kombëtar të Mavrovës, një nga habitatet e fundit të rrëqebullit të Ballkanit, specie e rrezikuar në mënyrë kritike nga zhdukja.
Në vitin 2010, autoritetet propozuan ndërtimin e hidrocentraleve Boškov Most dhe Lukovo Pole, të financuara përkatësisht nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Botërore. Projektet parashikonin diga, tunele dhe rrugë të reja brenda parkut kombëtar.
Biologia dhe aktivistja Ana Čolović Lešoska, drejtuese e organizatës mjedisore Eko-svest, udhëhoqi fushatën “Save Mavrovo”, duke ndërthurur protestat, peticionet dhe mekanizmat ligjorë ndërkombëtarë. Fushata mblodhi afro 100 mijë firma, ndërsa aktivistët iu drejtuan edhe Konventës së Bernës për mbrojtjen e habitateve natyrore.
Në vitin 2015, Konventa e Bernës rekomandoi braktisjen e projekteve. Po atë vit, Banka Botërore tërhoqi financimin për Lukovo Pole, ndërsa në vitin 2017 BERZH anuloi kredinë për Boškov Most. Për këtë angazhim, Lešoska u nderua në vitin 2019 me çmimin ndërkombëtar Goldman për Mjedisin.
Megjithatë, fitorja nuk ka garantuar mbrojtjen afatgjatë të parkut.
“Megjithëse fushata arriti të ndalonte projektet e mëdha hidroenergjetike, Eko-svest vazhdoi të angazhohej kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël”, tregon Lešoska për Citizens.al, duke shtuar se së fundmi janë anuluar dy koncesione, ndërsa një projekt tjetër mbetet ende i pasigurt.
Sipas saj, Mavrova vazhdon të jetë në një situatë të paqartë ligjore, pasi procesi për rishpalljen zyrtare të parkut kombëtar ka ngecur. Studimi i vlerësimit të vlerave natyrore, i përfunduar në vitin 2024, nuk është miratuar ende, ndërsa prerja e pyjeve dhe gjuetia vazhdojnë të kërcënojnë biodiversitetin.
Duke e krahasuar betejën për Mavrovën me “Revolucionin e Flamingove” në Shqipëri, Lešoska thekson se të dyja lëvizjet lindin nga frika se dëmtimi i natyrës mund të jetë i pakthyeshëm.
“Qeveritë priren të harrojnë se ndikimi ynë si njerëz është afatgjatë dhe kërcënon jo vetëm natyrën, por edhe vetë mbijetesën tonë”, përmbyll ajo.
Neretvica – lumi që bashkoi një komunitet
Në Bosnjë-Hercegovinë, më 23 shkurt 2009, Komuna e Konjicit nënshkroi një kontratë koncesionare 30-vjeçare për ndërtimin e 15 hidrocentraleve të vegjël në pellgun e lumit Neretvica, me një gjatësi prej vetëm 27 kilometrash. Në fillim të vitit 2020, kur nisën përgatitjet për ndërtimin, banorët e luginës u mobilizuan në lëvizjen “Neretvica – Më lër të rrjedh”.
“Që në fillim e bëmë të qartë se projektet do t’u shërbenin vetëm interesave të grupeve të biznesit dhe lobimit të lidhura me sektorin e hidrocentraleve të vegjël. Komunitetit lokal do t’i mbetej një mjedis i shkatërruar, kundrejt tarifave të papërfillshme koncesionare”, tregon për Citizens Safet Sarajlić, kryetar i shoqatës qytetare “Neretvica – Më lër të rrjedh”.
Rezistenca u zhvillua në disa fronte, nga protestat me qindra e mijëra pjesëmarrës deri te betejat gjyqësore dhe kundërshtimi i projektit pranë ministrive. Gjatë tre vjetëve e gjysmë të rezistencës, aktivistët u përballën me presionin e investitorëve, padi dhe kallëzime penale.
“Jemi veçanërisht krenarë që e mbrojtëm Neretvicën me trupat tanë”, shprehet Sarajlić.
Përpjekjet ligjore rezultuan në anulimin e pothuajse të gjitha miratimeve të nevojshme për ndërtimin e hidrocentraleve, përfshirë lejet e ndërtimit dhe ato mjedisore. Në vitin 2023, kontrata koncesionare u ndërpre. Sot, lëvizja vazhdon të angazhohet kundër ndotjes së lumit dhe prerjes së tepërt të pyjeve në pjesën e sipërme të pellgut.
Një rol të rëndësishëm në këtë betejë pati edhe mbështetja e organizatave të bashkuara në Koalicionin për Mbrojtjen e Lumenjve të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas Sarajlićit, rezistenca shkoi përtej mbrojtjes së një lumi, duke bashkuar njerëz në të gjithë rajonin.
“Lumenjtë nuk njohin kufij ndërmjet entiteteve apo kufij shtetërorë. Ata na bashkojnë dhe pikërisht për këtë arsye ne bashkuam forcat për t’i mbrojtur.”
Për komunitetet shqiptare që po luftojnë për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore, Sarajlić përcjell mesazhin e bashkimit dhe të këmbënguljes: “Mos u dorëzoni kurrë, ndërtoni aleanca dhe bashkoni sa më shumë njerëz rreth kauzës suaj.”
Marrë nga Citizens.al