Transporti publik në të gjithë vendin do të nisë punën sot në orën 08:00, dy orë e gjysmë më vonë se orari i zakonshëm.
Vendimi është marrë në prag të seancës plenare të Kuvendit, ku në rendin e ditës janë përfshirë projektligje të rëndësishme që lidhen me paketën fiskale dhe projektbuxhetin e vitit 2027.
Vonesa e nisjes së transportit publik pritet të sjellë vështirësi kryesisht në orët e para të mëngjesit, kur fluksi i udhëtarëve është më i lartë dhe një pjesë e madhe e qytetarëve varen nga ky shërbim për të lëvizur drejt destinacioneve të tyre.
Ndërkohë, në Kuvend pritet të shqyrtohen dhe votohen një sërë nismash që përfshijnë ndryshime në ligjet për tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat, si dhe projektbuxheti i vitit të ardhshëm.
Sipas vendimit të shoqatave, shërbimi i transportit publik do të nisë në orën 08:00, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo masë do të shoqërohet me vendime të tjera në vijim.
Marrë nga Top Channel