Parlamenti Evropian ka miratuar sot në Strasburg një rezolutë kushtuar 35-vjetorit të rënies dhe shkatërrimit të qytetit kroat të Vukovarit, duke i bërë thirrje Serbisë të hapë arkivat shtetërore për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
Rezoluta, e para që i kushtohet posaçërisht vuajtjeve të këtij qyteti kroat, u iniciua nga eurodeputeti kroat Karlo Ressler nga HDZ-ja dhe Partia Popullore Evropiane (EPP). Në dokument theksohet se kujtesa për Vukovarin nuk i përket vetëm Kroacisë, por gjithë Evropës.
Rezoluta shpreh nderim për viktimat e Vukovarit dhe përmend krimet e kryera në fermën e Ovçarës, në kampet e burgimit të ngritura nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA), si dhe në qendrën Velepromet, ku u mbajtën të burgosur gjatë luftës. Ai përmend gjithashtu fjalimin e Slobodan Millosheviqit në Gazimestan më 1989 dhe konceptin e “Serbisë së Madhe”, si dhe kërkimfaljen e ish-presidentit serb Boris Tadiq në Ovçara më 2010.
Serbisë, sipas rezolutës, i kërkohet të hapë arkivat për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Kroacia ende kërkon 1.725 persona të zhdukur nga lufta, ndërsa në tekstin përfundimtar është përfshirë edhe pritja e familjeve të personave të zhdukur, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, për të marrë përgjigje.
Rezoluta u miratua pas tërheqjes së një propozimi alternativ nga grupi liberal, të paraqitur nga eurodeputeti austriak Helmut Brandstatter. Organizatat joqeveritare nga Kroacia dhe rajoni e kishin mbështetur atë version, pasi u bënte thirrje të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën, të bashkëpunonin për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Në Kosovë 1.579 persona vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur nga lufta e fundit.
Votimin nga galeria e Parlamentit Evropian e ndoqën banorë të Vukovarit, familjarë të personave të zhdukur dhe të vrarë, si dhe ish-të burgosur të kampeve, të cilët kishin udhëtuar në Strasburg me ftesë të Resslerit.
Rezoluta kishte nxitur reagime edhe në Serbi para votimit. Studentët që tash kanë ardhur në pushtet e kundërshtuan dokumentin, duke pretenduar se ai nuk i merr parasysh viktimat serbe.
Marrë nga Politico.eu